E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani më 21 shtator në SHBA, për ceremoninë e NAAC-it

Presidenti Bujar Nishani, më 21 shtator pritet që të vizitojë SHBA-në, ku do të marrë pjesë në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC). Kjo është konfirmuar nga një deklaratë e lëshuar nga NAAC. Ceremonia pritet që të zhvillohet në Gottham Hall në Neë York.

Nga Shqipëria, përveç presidentit Nishani, të konfirmuar janë edhe dy ambasadorët që punojnë në SHBA ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Gilbert Galanxhi, dhe ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferid Hoxha.

Përveç Nishanit, në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, kryeministri kosovar, Hashim Thaçi dhe gjashtë ministra të tjerë kosovarë.

Nga Maqedonia do të marrin pjesë dy zëvendëskryeministra shqiptarë të Qeverisë në Shkup, Teuta Arifi dhe Musa Xhaferri.

Ceremonia vjetore e çmimeve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan mbahet çdo vit, ndërsa sipas organizatorit çmimet nderojnë liderët e dalluar nga Ballkani dhe mbarë bota.

Vitin e kaluar, çmimi Hands of Hope i është dhënë ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, ndërsa ishte nderuar edhe ambasadori i ndjerë amerikan, Richard Holbrooke.

Sipas formës së regjistrimit, çmimi për një person që do të marrë pjesë në ceremoni është 350 dollarë, që siguron vetëm hyrjen dhe vendin në një prej tavolinave të thjeshta për darkë, deri në 1000 dollarë, që siguron vendin në njërën prej tavolinave kryesore të darkës, biletën për VIP, si dhe fotografimin me laureatët e çmimeve.

NAAC është organizatë jofitimprurëse e dedikuar për avokim për shqiptarët dhe promovim të paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan, duke nxitur politikat demokratike, promovuar respektimin për të drejtat e njeriut, dhe duke zbatuar programe edukative dhe zhvillimore. NAAC përgjithësisht është konsideruar gjatë viteve si zëri i shqiptarëve në Washington.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›