E Diel, 1 Nëntor 2026

Servet Pellumbi: Me kreun e ri të SHISH, Berisha kërkon të pastrojë dosjet e krimit dhe korrupsionit

Ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi në një intervistë në Panorama ka deklaruar se reagimet për emërimin e Visho Ajazit në krye të SHISH janë plotësisht të motivuara, sepse sipas tij kemi të bëjmë me një hap të paralajmëruar të nënshtrimit të institucioneve nga Kryeministri.

Berisha bëri përpjekje të vazhdueshme për të shkarkuar Bahri Shaqirin, që vazhdoi traditën e funksionimit me ligj të institucionit dhe të bashkëpunimit me shërbimet partnere. Paraqiti një projekt ligj të posaçëm antikushtetues për të realizuar një qëllim të tillë. Nuk u dekretua nga presidenti Topi dhe më pas u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese…Tani shfrytëzoi deklaratën e pamatur të presidentit të sapozgjedhur se kreu i SHISH-it i takon Kryeministrit, që Berisha të realizojë objektivin për pastrimin e dosjeve të mundshme për rrethin e bashkëpunëtorët e tij të afërt brenda dhe jashtë vendit-pohon ai.

Ai nënvizon se pasojat negative mbi demokracinë do ti shohim shumë shpejt.

Pëllumbi i ka kërkuar opozitës më shumë kontakte me njerëzit sesa mesazhe përmes rrjeteve sociale.

Nuk duhet të fokusohet aq shumë në rrjetet sociale, por më tepër në kontakte të gjalla e të vazhdueshme  me partinë dhe me njerëzit përgjithësisht-deklaron Pëllumbi.

Ai ka vijuar më tej duke thënë se LSI nuk duhet të shihet as si djall, as si engjëll shpëtimtar dhe  se  në deklaratat për koalicion dhe me djallin , sipas profesorit duhet të jenë të kujdesshëm, pasi një bashkim djajsh do të sillte efektin e kundërt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›