E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani niset ne SHBA do marre pjese ne Asamblene e OKB-se

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Pare, Odeta Nishani dhe delegacioni zyrtar, u nis sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të Sesionit të 67-të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon.

Kryetari i Shtetit shqiptar gjatë kësaj vizite pritet të ketë një sërë takimesh të nivelit të lartë me personalitete botërore, në kuadër të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me krerë shtetesh të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e të vendeve aziatike, përfaqësues të organizatave të rëndësishme ndërkombëtare; etj.

Gjithashtu Kreu i Shtetit shqiptar do të zhvillojë disa veprimtari të tjera të rëndësishme në kuadër të kësaj vizite, të parashikuara në agjende si pjesëmarrje në takimin e 16-të vjetor të NAAC-ut (Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan), ndërsa në datën 22 shtator 2012, Presidenti Nishani do të zhvillojë një vizitë në Klivlend, Ohajo, ku do të përurohet Kopshti Kulturor “Nënë Tereza”.

Në kuadër të kësaj vizite Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Pare do të jenë të pranishëm në pritjen e organizuar nga Presidenti amerikan Barak Obama me krerët e shteteve pjesëmarrëse në Sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe në pritjen e ish-presidentit amerikan Bill Klinton.

Gjate qëndrimit në Nju-Jork dhe pjesëmarrjes në punimet e sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me krerë shtetesh dhe qeverish të vendeve të Bashkimit Evropian dhe nga bota, ku qëllimi i këtyre bisedimeve dypalëshe është lobimi për çështjen e Kosovës dhe për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat.

Ditën e enjte, më 26 shtator, Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani do t’i drejtohet me një fjalim Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa një tjetër etapë e rëndësishme e kësaj vizite është edhe pjesëmarrja e Presidentit Nishani në Takimin e Nivelit të Lartë për Shtetin Ligjor që do të mbahet në OKB, ditën e hënë më 24 shtator 2012.

Vizita zyrtare e Presidentit Nishani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfshijë edhe takime me bashkëkombasit e shumtë që jetojnë e punojnë atje si dhe me shoqatën atdhetare “Vatra”, ku do të jetë i pranishëm gjithashtu edhe delegacioni i Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›