“Nishani, president sipas standardeve”

Edi Paloka, deputet i PD-së
“Urojmë që Rama të mbetet në krye të PS, është kundërshtar i dobët”
Deputeti i PD-së, Edi Paloka vlerëson maksimalisht figurën e Bujar Nishanit si President i ri i vendit, duke e konsideruar President të standardeve, të pakontestueshëm edhe nga vetë opozita. “Po të doja të spekuloja do thosha që edhe këtë radhë Berisha e mbajti fjalën, por realisht është spekulim. Kandidatura e zotit. Nishani është ndër kandidaturat politike, por e pranueshme dhe për opozitën pasi gjatë gjithë punës së tij nuk ka pasur ndonjë akuzë nga opozita. Është kandidaturë mjaft e goditur me parametra të lartë. E gjithë kjo nuk ishte lojë, pasi i bie të luanim me vetveten. Ne si mazhorancë u vumë në pozita shumë të vështira, mbrojtëm me forcë edhe dy kandidaturat e mëparshme, pasi e meritonin atë post. Do ishim shumë të kënaqur me secilin prej tyre President, por të dy u sulmuan nga opozita dhe për dinjitetin e tyre dhanë dorëheqjen”, u shpreh Paloka.
Ai theksoi se PS ushtroi presion ndaj kandidaturës së Artan Hoxhës, duke çuar në dorëheqjen e tij nga kandidimi.
Sipas tij, edhe në kulmin e shantazhit dhe presionit të opozitës, me mbështetjen e aleatëve Partia Demokratike tregoi se gëzon mazhorancën solide në parlament, duke nxjerrë blof spekulimet për krisje të koalicionit. “Unë nuk mund të jap detaje, ne e zgjodhëm dhe e vlerësuam Hoxha. Pati një lloj presioni të ulët nga opozita, me shpifje dhe trillime, sulm i shëmtuar ndaj tij dhe rezultati ishte ai. Hoxha nuk donte të ishte pre e sulmeve dhe për këtë kemi këmbëngulur dhe më herët që të jetë kandidaturë politike se politikani di ti përballojë të tilla situata, këtë luftë brenda politikës. Jam I kënaqur që bashkë me aleatët zgjodhëm Nishanin. Nishani ishte një kandidaturë e matur për këtë çështje, ndaj ishte i menjëhershëm kandidimi i tij pas tërheqjes së zotit. Hoxha. Aleatët treguan integritet, sidomos LSI, të cilët më parë kishin deklaruar se nuk donin një figurë politike dhe mendoj se bëmë zgjedhjen më të mirë. Ishte një përgjigje ndaj kundërshtarëve, dolën blof spekulimet e socialistëve dhe të Ramës”, theksoi ai.
Deputeti i PD shprehet optimist dhe në lidhje me pozicionimin e ndërkombëtarëve, duke theksuar se edhe ata ishin të vetëdijshëm për mënyrën si rrodhën ngjarjet. Në këtë kontekst ai shton se integrimi i vendit nuk mund të varet nga fakti i zgjedhjes së Presidentit pa konsensusin e opozitës.
Për tu zhvendosur pak në lëvizjet brenda PS, në luftën e hapur Nano-Rama, Paloka preferon Ramën në krye të PS, në kontekstin e një kundërshtari më të dobët, ndërsa shton se Nano nuk mund t’i marrë partinë Ramës sepse realisht nuk ekziston më një PS.