E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani takim me krerët e institucioneve: Në momentin e tranzicionit të pushteteve, institucionet s’duhet të kenë frikë ndaj një revanshi të mundshëm

15-07-2013 / Gazeta 55

Kreu i shtetit zhvilloi sot një takim pune me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Nënkryetarin e KLD-së, Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e KLSH-së dhe Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së


Presidenti, Bujar Nishani priti sot në selinë e Presidencës, drejtues të institucioneve të rëndësishme në vend. Kreu i shtetit ka thirrur në një takim pune me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Nënkryetarin e KLD-së, Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e KLSH-së dhe Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së. Duke i uruar suksese mazhorancës së re të zgjedhur në 23 qershor, Presidenti mesazhi dha dhe mesazhin për të pranishmit.  “Qeveria dhe kryeministri kanë pikëpamjet e tyre për raportet që kanë për të vendosur me këto institucione. Prioritet e saj do të jenë të ndryshme nga mazhoranca e mëparshme. Funksionet qeverisëse duhet të jenë në zbatim të ligjit. Institucionet të mospërfshihen në procesin e transferimit të pushtetit. Puna e tyre është e pavarur ligjërisht, duhet t’i përgjigjen zërit të profesionalizmit, në shërbim të qytetarëve”, vuri në dukje Nishani. Po kështu, në vlerësimin e kreut të shtetit asnjë nga këto institucione nuk duhet të ndihet i sulmuar apo të i stepur ndaj frikës së një revanshi. Përkundrazi sipas tij, duhet të vazhdohet më tej  për të përfunduar reformat e nisura. “Reformat e nisura e të miratuara, që kanë të bëjnë me dixhitalizimin e drejtësisë, që kanë filluar të japin fryte në transparencën e sistemit dhe rritjen e konkurrencës, nuk kanë asnjë arsye pse të ndërpriten e të rrinë në pritje. Ato janë të destinuara të arrijnë objektivat e veta. Do ishte e dëmshme dhe kundërproduktive stepja apo frika ndaj ndonjë revanshi. Kjo nuk do të ishte e denjë për ju dhe institucionet tuaja”, nënvizoi Presidenti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›