E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Me rikthimin e FMN, Rama u jep një goditje investimeve të huaja

15-07-2013 / Gazeta 55

Përfaqësues të biznesit i kërkojnë vendimmarrjes politike dhe sidomos forcave fituese të zgjedhjeve të 23 qershorit, që të mos ketë asnjë ndryshim të statusit të tanishëm këshillimor të pranisë së FMN-së. Sipas Konfindustria-s, rikthimi i FMN është i paarsyeshëm dhe do të përkeqësojë imazhin e Shqipërisë përpara investitorëve të huaj, pasi FMN operon vetëm në vendet me vështirësi financiare, kryesisht ato që janë në recension ekonomik

Rikthimi i mundshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri do të përkeqësonte imazhin e Shqipërisë tek Investitorët e huaj. Konfindustria mendon se investimet e huaja do të pësonin një goditje të drejtpërdrejtë dhe vendi nuk do të kishte asnjë përfitim të prekshëm. “Ndryshimi drejt forcimit të rolit të tashëm këshillimor të FMN në raport me qeverinë shqiptare, do të ishte jo vetëm pa asnjë përfitim të prekshëm, por mbi të gjitha do të prodhonte pasoja tepër të dëmshme në afatgjatë, duke goditur drejtpërdrejt dhe pa asnjë arsye politikën e tërheqjes së investimeve të huaja. Natyrshëm investitorët e huaj do të krijonin dyshime për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptar”- thuhet në reagimin e përfaqësuesve të biznesit. FMN-ja, vijon Konfidustria, operon vetëm në vendet me vështirësi financiare, kryesisht ato qe janë në recension ekonomik. Ndaj në Shqipëri, rikthimi i saj është krejt i paarsyeshëm. “Në kushtet kur vendi në gjithë periudhën e deritashme të zhvillimit të krizës globale financiare pavarësisht goditjeve të ndjeshme, nuk kaloi në asnjë vit në recesion teorik të ekonomisë, sikurse ndodhi me mjaft vende të tjera një pjesë e të cilave ishin edhe anëtare të BE, do të ishte krejtësisht e paarsyeshme ndryshimi i statusit të tashëm këshillimor i rolit të pranisë së FMN në vendimmarrjen e politikave fiskale dhe ekonomike të Shqipërisë”, veçoi ai. Vitet e fundit, me rritjen e të ardhurave për frymë, prania e FMN-së në vendin tonë nuk ishte më e detyrueshme.
Jo rrallë herë, në raportet e tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar rritje taksash. Dhe këto kërkesa, sipas Konfindustrisë, bien ndesh me premtimet e qeverisë së re dhe do të vështirësonte reformat e premtuara prej saj. 
BB: Shqipëria me situatë financiare stabël/Përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenyia Lvoski në një konferencë për shtyp, në përfundim të mandatit të saj në vendin tonë, tha se situata ekonomike në Shqipëri është në gjendje stabël. Ajo refuzoi propozimet e mazhorancës së re për ulje taksash, duke deklaruar se për periudhën aktuale dhe me krizën e eurozonës, ulja e taksave është e pamundur. “Qeveria e re nuk do ketë shumë mundësi për ulje taksash. Ajo duhet të kryejë shkurtim të shpenzimeve në mënyrë që të ruhet stabiliteti financiar. Duhet të fokusohet më shumë në reformat strukturore për të siguruar një rritje ekonomike afatshkurtër pasi për investimet e reja nuk ka shumë hapësire”, u shpreh ajo. Drejtoresha e Bankës Botërore në Tiranë Ksenyia Lvovsky, në konferencën e përmbyllëse të mandatit të saj 3 vjeçar, kërkoi edhe rinisjen e bashkëpunimit me FMN-në. Ndërkaq, raporti i Bankës Botërore për zhvillimet ekonomike në Evropën Juglindore, konstaton se Shqipëria pritet të shënojë këtë vit një rritje ekonomike 1.8 për qind, e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve. Kjo është ndër rritjet ekonomike më të larta në rajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›