E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani, takime me Dukën e Madh të Luksemburgut dhe Kryeministrin e Kuvajtit

Në vijim të qëndrimit në New York, si pjesëmarrës në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një takim me Dukën e Madh Henry të Luksemburgut, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti.
 

Presidenti Nishani bëri një ekspoze të arritjeve të Shqipërisë në rrugën e reformave, bazuar në 12 prioritetet kyçe të Komisionit Evropian, ku përmendi ligjet e miratuara me shumicë të cilësuar votash, Kodin e ri Elektoral të miratuar me konsensus të gjerë politik, reformat në sistemin e drejtësisë, duke shprehur bindjen se populli shqiptar dhe institucionet shtetërore presin që marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian të jetë një proces i merituar nga Shqipëria.
 

Nga ana e tij, Duka i Madh Henry i Luksemburgut vlerësoi reformat e rëndësishme të ndërmarra në Shqipëri duke theksuar se vendet partnere të BE-së presin nga institucionet shqiptare hapa të mëtejshëm për plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat.
 

Duka i Madh i Luksemburgut vlerësoi se konsensusi mes forcave politike në Shqipëri duhet të vijojë me qëllim që të arrihen standardet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
 

Duke nënvizuar rolin e Shqipërisë në rajon, Presidenti i Republikës vlerësoi mbështetjen e Luksemburgut për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
 

Kreu i Shtetit falenderoi Dukën e Madh Henry për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Luksemburgu i ka dhënë Shqipërisë në 22 vitet e fundit, veçanërisht sa i përket anëtarësimit në NATO, liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
 

Një tjetër takim, Presidenti Nishani e pati edhe me Kryeministrin e Kuvajtit,Sheikun Jaber Al Mubarak Al Hamad Al Sabah.Presidenti i Republikës shprehu mirënjohje dhe e falenderoi Kryeministrin kuvajtian për njohjen nga shteti i tij të Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë si kontribut të njëmendtë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
 

Kryetari i Shtetit shprehu dëshirën që Kuvajti të shfrytëzojë lidhjet dhe influencën e tij për të ndikuar në shtimin e njohjeve të shtetit të ri të Kosovës.
 

Presidenti Nishani i shprehu mirënjohjen Kryeministrit të Kuvajtit, Sheikut Jaber Al Mubarak Al Hamad Al Sabah për donacionet personale të Emirit të Kuvajtit dhe të gjitha investimet në projektet madhore të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›