Përpjekja e mazhorancës për imponim, shkelje flagrante e Kodit Zgjedhor

Grupi parlamentar socialist përmes një deklarate për mediat ka reaguar lidhur me masën disiplinore ndaj deputetit Damian Gjiknuri. Duke e cilësuar fyerje të Parlamentit ndaj Gjiknurit, PS vlerëson se kjo është një përpjekje e mazhorancës për të imponuar shkeljen flagrante të Kodit Zgjedhor mbi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për Kryetar të KQZ.
“Në Kuvendin e Shqipërisë vazhdon sjellja brutale dhe represive ndaj opozitës, vazhdon shkelja e rregullores dhe e ligjeve që rregullojnë marrëdhëniet e Kuvendit me institucionet e tjera. E fundit ndër to është edhe përpjekja e mazhorancës për të imponuar sot në Komisionin e Ligjeve shkeljen flagrante të Kodit Zgjedhor mbi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për Kryetar të KQZ; si edhe fyerjet e rënda ndaj deputetit Damian Gjiknuri, pasi ai nuk lejoi të shkelet Kodi Zgjedhor dhe as të procedohet më tej me këto shkelje” thuhet në deklaratë.
PS thekson se është i qartë synimi i mbrapshtë i këtij akti antiopozitë në një moment delikat dhe të rëndësishme të zbatimit të Kodit Zgjedhor, ndërsa shton se është e vendosur për zbatimin korrekt, pa imponime dhe dredhira politike të Kodit Zgjedhor dhe të legjislacionit në tërësi.
“Është e turpshme që pas kësaj, mazhoranca, në vend që të kërkoj ndjesë për shkelje të ligjit dhe fyerje të deputetit, përkundrazi, nëpërmjet byrosë së kontrolluar prej saj merr masë përjashtimi nga punimet e komisionit të deputetit Gjiknuri, bashkëkryetar të hartimit të Kodit Zgjedhor. Është i qartë synimi i mbrapshtë i këtij akti antiopozitë në një moment delikat dhe të rëndësishme të zbatimit të Kodit Zgjedhor. Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë të vendosur dhe do bëjnë gjithçka për zbatimin korrekt, pa imponime dhe dredhira politike të Kodit Zgjedhor dhe të legjislacionit në tërësi” përfundon deklarata.