E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani, urdhër SHKB-së dhe policisë kufitare për hetimet

Urdhri i tij është dhënë si për strukturat e SHKB-së, ashtu edhe për ato të policisë, me qëllim që të kryhet një inspektim në të gjithë departamentin e kufirit në Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për dhjetë rastet e zbuluara të kosovarëve, që kanë kaluar ilegalisht nga Aeroporti i Rinasit drejt Italisë, pa u regjistruar në sistem, as kur kanë dalë nga Shqipëria dhe as kur janë sjellë të depërtuar nga Italia.

Burimet nga Ministria e Brendshme bëjnë të ditur se titullari i kësaj ministrie, Bujar Nishani, ka lëshuar këtë urdhër pak ditë më parë, me qëllim që ky fenomen të goditet dhe të zhduket, duke pasur parasysh faktin që ka ndodhur pikërisht në aeroportin e vetëm që kemi në vendin tonë.

Kështu, nga informacionet e mbledhura mësohet se ai ka kërkuar një inspektim në departamentin e kufirit dhe migracionit, që varet nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë, Pëllumb Nako, me qëllim identifikimin e të gjithë personave që nuk kanë kryer detyrën për të parandaluar apo për të goditur këtë fenomen. Por, inspektimi do të kryhet edhe për të verifikuar edhe shkelje të tjera, në sektorë të ndryshëm të këtij departamenti të rëndësishëm për procesin e liberalizimit të vizave.

Ndërkaq, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, që varet direkt nga ministri Nishani është urdhëruar prej tij që të hetojë sa më intensivisht trafikun në Rinas dhe brenda një kohe të raportojë me qëllim dërgimin e përgjegjësve para drejtësisë. Nga ana tjetër, disa nga të penalizuarit në Rinas nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, pikërisht gjashtë prej tyre janë ankuar në Komisionin e Apelimit, pasi nuk kanë qenë dakord me masat e marra.

Sipas fakteve të zbuluara deri më sot, mbi dhjetë kosovarë kanë kaluar në Rinas, me dokumente false, pavarësisht se autorët që i kanë ndihmuar për të kaluar ilegalisht, nuk janë zbuluar ende. Për këtë arsye, policia ka ndëshkuar të gjithë oficerët që kanë qenë në punë me masa administrative, edhe pse disa mund të jenë të pafajshëm. Asnjë nga oficerët e ankuar nuk ka pranuar të ketë organizuar këtë trafik, ndërkohë që janë zhdukur edhe dokumentet përkatëse.

Por, deri më sot, hetimet kanë mbetur në vendnumëro, për shkak të zhdukjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë. Nga informacionet e dosjes së publikuar nga “Shqip” mësohet se në Rinas dyshohen dy ose tre oficerë për kalimin e një personi të vetëm. Por, në të vërtetë, ky person është kaluar vetëm nga një prej tyre. Kamerat e sigurisë mund të vërtetonin se cili prej tre të dyshuarve ka bërë kalimin e tij, pa e regjistruar në sistemin TIMS, ashtu siç është vepruar edhe kur ai është kthyer mbrapsht nga autoritetet italiane. Një tjetër fakt i zbuluar nga hetimet ka të bëjë me dhjetë shtetasit kosovarë, të cilët kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Italisë, kanë përdorur të njëjtën linjë ajrore.

                                                                                             2012-04-29 13:39
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›