E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani uron Napolitanon për mandatin e ri: Forcim të marrëdhënieve

nishaniTiranë- Presidenti Bujar Nishani ka uruar sot përmes një letre homologun e tij italian Giorgio Napolitano me rastin e rizgjedhjes në detyrën e lartë të kreut të shtetit.

Në mesazhin e tij Nishani shprehet se miqësia historike, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Italisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të Shtetit Shqiptar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Mesazhi i plotë:

I nderuar Zoti President,
Rizgjedhja Juaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Italiane më jep nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, tju përcjell Juve, familjes suaj, si edhe popullit mik italian urimet më të përzemërta, për sa më shumë sukses dhe mbarësi!

Kam bindjen e thellë se vazhdimi i mandatit tuaj si President i vendit është një kurorëzim i punës dhe përpjekjeve tuaja të suksesshme në dobi të popullit mik italian, të paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë. Jam i sigurt se kjo rizgjedhje do të influencojë mjaft pozitivisht edhe në përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.
Me këtë rast, dëshiroj të shpreh bindjen time të thellë se miqësia historike, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Italisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të Shtetit Shqiptar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Gjej mundësinë, i nderuar Zoti President, të theksoj mirënjohjen më të thellë personale dhe të gjithë kombit shqiptar, për mbështetjen e vazhdueshme që vendi Juaj mik dhe Ju i keni dhënë vendit tim në përpjekjet për tu bërë pjesë e familjes euroatlantike, si për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe si avokat i vendosur në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Duke ju shprehur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta për rizgjedhjen tuaj si President, si dhe të ripërsëris dëshirën për t`Ju mikpritur sa më shpejt në Tiranë, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›