Nishani viziton Manastirin e Deçanit, përcillen mesazhe paqeje
Deçan- Presidenti shqiptar, Bujar Nishani në vazhdën e takime të tij në Kosovë ka vizituar pasditen e djeshme Manastirin e Deçanit. Siç raporton DeutscheWelle së bashku me Igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, zoti Nishani ka përcjellë mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi mes popujve.
‘Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi për për ndërtimin e një shoqërie të re në paqe e harmoni për secilin është mesazhi më i mirë që mund të përcillet nga një institucion fetar’,-tha Nishani .
Nga Deçani kreu i shtetit shqiptar theksoi se besimi tek Zoti do të na e shtojë akoma më shumë dashurinë ndaj njëri-tjetrit. “Besimin tek paqja dhe tek njëri-tjetri dhe kontributin për të ardhmen. Qeniet njerëzore janë në Tokë për të menduar gjithmonë për të mirën e njeri-tjetri dhe për të ardhmen,-tha Nishani.
Nga ana tjetër Igumeni Janjiç e cilësoi vizitën e Zotit Nishani një nder të vyer për këtë institucion fetar. “Ndërsa, ky është një rast i mirë në të cilin do të dëshmojmë bashkarisht rëndësinë e bashkëpunimit mes nesh, veçanërisht të njerëzve të kulturave dhe beismeve të ndryshme në ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore, në të cilën secili do të mund të jetojë në paqe dhe bashkëpunim. Shpresoj se Manastiri i Deçanit do të japë një kontribut të vogël në ndërtimin e paqes së përgjithshme dhe bahkëpunimin e të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë”,-tha Janjiçi.
Kjo vizitë në Manastirin e Deçanit është e para e një presidenti shqiptar që nga fundi i luftës në Kosovë.
/IDEA/