Shembja e Urës së Muhurit, banorët në rrezik, shteti ende asnjë masë
Dibër- Shëmbja një dite më parë e Urës së Muhurit që lidh gjashtë komuna të Peshkopisë përveç izolimit që sjell po vë në rrezik edhe jetën e banorëve të kësaj zone.
Një nga urat më të vjetra të Dibrës, që daton në vitin 1936 nuk ka njohur kurrë dorën e rikonstruksionit teksa amortizimi e ka gërryer vit pas viti duke sjellë edhe shëmbjen e objektit 200 metra të gjatë.
Ashtu siç edhe u raportua që nga shëmbja e saj kalimi i automjeteve në të tashmë është tërësisht i pamundur teksa fëmijë, të rritur e të moshuar kalojnë lumin Drin përmes copëzave që kanë mbetur nga ura.
Banorët shprehën se në dijeni për situatën e tyre janë vënë të gjithë organet kompetente deri tek qeveria por asgjë konkrete s’është bërë për zgjidhjen e këtij problemi.
Sakaq komuna thotë: Kryeministri thotë që do të lidhim të gjitha qëndrat e komunave me asfalt, këtu nuk bëhet fjalë për asfalt por bëhet fjalë për një urë që lidh 6 komuna me qendrën e Peshkopisë dhe nuk merret asnjë mase. Kemi tre muaj që i kemi dërguar shkresave të gjithë institucioneve, që nga Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve dhe nuk është bere asgje. Para 2 javësh na ka ardhur një shkresë me firmë të Sokol Olldashit që thuhet se do të bëjmë tenderimin e kësaj ure me dërrasë, tenderimi spo bëhet ka rreth një muaj që nuk po bëhet asgjë. Kjo urë i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe nuk e ka komuna Muhurr.
Ura e Muhurit, e cila tashmë ekziston si gërmadhe e dërrasave të kalbura lidh komunat Muhur, Arras, Selisht, Zall-Dardhe, Lurë dhe Reç.
/IDEA/