Nisin ditët e javës së letërsisë spanjolle, Shqipëria 2010
prej vitesh, në shumë qytete të botës, kryhen lexime publike të Don Kishotit. Në këtë kuadër, Ambasada e Spanjës në Shqipëri, do të organizojë një edicion të ri të Javës së Letërsisë Spanjolle, gjatë së cilës do të ofrohen disa nga veprat dhe autorët më përfaqësues të kulturës spanjolle për publikun shqiptar. Aktivitet startuan që dje në orën 17:00 në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, ku u bë inaugurimi i Javës së Letërsisë Spanjolle 2010 me konferencën Jeta është ëndërr, ëndrra e jetës nga Profesoresha Lina Rodriguez, e cila foli mbi veprën Jeta është ëndërr e Pedro Calderon de la Barca. Projekti librat: Nga spanjishtja në shqip është një ekspozitë e realizuar nga studentët e Degës së Studimeve Hispanike të Departamentit të Spanjishtes në Universitetin e Tiranës dhe supozon një punim të studentëve të spanjishtes në të cilin kanë fotografuar dhe analizuar egzemplarë të disa veprave të letërsisë hispanoamerikane të përkthyera në shqip. Ndërsa sot 23 prilli do të festohet Dita e Librit me evente të ndryshme që i bëjnë homazh autorëve të mëdhenj të letërsisë spanjolle duke iu referuar veçanërisht veprës universale të Cervantes, Don Kishoti, duke vazhduar kështu një traditë tashmë të krijuar në kryeqytete e mëdha të botës. Në orën 10:30, do të bëhet dorëzimi i çmimeve të Konkursit të Tregimit të Shkurtër Don Kishoti, këtë vit me lemën Europa, nga ana e Ambasadorit të Spanjës ne Shqipëri, Manuel Montobbio, shkrimtarja dhe botuesja Mira Meksi, Konsulli i Nderit i Spanjës Skënder Vuçini, si dhe fituesja e çmimit të vitit të mëparshëm Rajmonda Belli Gjencaj. Njëkohësisht do të marrë pjesë dhe shkrimtari Fatos Kongoli. Më pas, do të zhvillohet konferenca e mbajtur nga shkrimtarja Mira Meksi: Hispanikja si referuese në librin. E kuqja e demave. Në orën 11:30, do të fillojë leximi publik shumëgjuhësh i Don Kishotit me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura të jetës publike dhe kulturore të Shqipërisë dhe të të gjithë atyre që duan ti japin një zë kësaj letërsie universale. Në orën 19:00 në Akademinë Marubi, do ti bëhet një homazh shkrimtarit të madh spanjoll, Miguel Delibes, të vdekur kohët e fundit, me anë të shfaqjes së filmit Shenjtorët e pafajshëm të Mario Camus. Të mërkurën me 28 prill, në orën 19:00, Ambasada e Spanjës në Shqipëri ka nderin të prezantojë në Teatrin e Operës së Tiranës premierën botërore të operës që paraqet veprën e madhe të Shekullit të Artë Spanjoll, e cila është Jeta është ëndërr e Pedro Calderon de la Barca, nga kompozitori shqiptar David Tukiçi.
Last Updated on E Premte, 23 Prill 2010 08:21