E Diel, 1 Nëntor 2026

Danci Ndërkombëtar Kontemporan, rikthehet në edicionin e pestë më 1 Maj

Artistët e rinj sjellin ritmet moderne dhe latine në Tiranë dhe Durrës

Tashmë po afron data e startimit të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Kontemporan në Durrës. Sipas organizatorëve thuajse gjithçka është gati, për në datën 1 maj kur dhe do të fillojë ky eveniment në fushën e kërcimit dhe vallëzimit.

I cilësuar si një prej evenimenteve më të rëndësishme të këtij sezoni pranveror në qytetin e Durrësit, Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan, në edicioni e tij të pestë premton të sjelli net të mbushura me ritëm në qytetin bregdetar, por këtë sezon ato nuk do të mungojnë dhe në kryeqytet. Ky aktivitet, i cili do të startojë këtë vit në datë 1maj për të përfunduar në 28 maj. Organizatorët bëjnë të ditur se këtë vit do të ketë një pjesëmarrje shumë më të gjerë se sa edicionet e viteve të kaluara, duke performuar para publikut grupe të njohura dhe të vlerësuara dhe në festivale ndërkombëtare të kërcimit. Drejtori i festivalit, koreografi i njohur Gjergj Prevazi tregon se ky është një eveniment unik dhe tepër i rëndësishëm në llojin e vet. Festivali ynë synon që të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme, duke u kthyer tashmë në një veprimtari të përvitshme, thotë ai. Këtë vit do të jenë pjesëmarrëse grupe nga Spanja, Zvicra, Franca, Izraeli por dhe nga Shqipëria. Trupat pjesëmarrëse: Ballet Jesus Quiroga në 1 maj, Cie Diade, Scream Scene dhe Trefeli në 4 maj, Ursula Eagly Solo Fields of Ida më 5 maj, Oded Ronen and Joel Bray Dorban2O 5 maj, The Neta Dance Company 6 maj, 5 Beds/Children of the Dream +Fold-Refolds në Tiranë në 7 maj, Ferenc Feher Tao Te 10 maj, Rytm Ba The Perfect Solo 12 maj në Tiranë, Ballet Actual 17 maj, Fabrice Lambart  21 maj, Albania Dance Theatre co., The Parfum 22 maj, Lanonima Imperial 26 maj dhe Linga më 28 maj. Ky eveniment i cili këtë vit mbërrin në edicionin e tij të pestë nga organizatorët është menduar që të jetë një spektakël mbushur dhe me shumë surpriza, të cilat do të zbulohen në vijim të këtij festivali. Edhe një vit më parë kur nisi në qytetin bregdetar të Durrësit, ai solli një larmi tingujsh dhe ritmesh të cilat u përcollën me entuziazëm tek publiku i cili i mbushi sallat e pallatit Aleksandër Moisu në Durrës morën pjesë dhjetë kompani teatrore nga Kanadaja, Italia, Turqia, Shqipëria e Hungaria, ndërsa Greqia dhe Izraeli u paraqitën me nga dy trupa. Shfaqjet e këtij edicioni të katërt të Festivalit të Dancit Modern u zhvilluan në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" dhe arenën e amfiteatrit antik të Durrësit. Për herë të parë, trupat e dancit modern nga vende të ndryshme të Evropës performuan në mjediset e monumentit 1900-vjeçar, duke mundësuar edhe rritjen e numrit të shikuesve pjesëmarrës. Trupa izraelite Kolben dance company çeli edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan. Shatë kërcimtarët e kompanisë Kolben në shfaqjen e tyre Interface sollën një ndërthurje të botës mediatike dixhitale me ndryshimet e natyrës njerëzore në realitetin e ri. Pamjet filmike të Interface gërshetoheshin me gjuhën e pasur, të bukur dhe të thjeshtë të lëvizjeve, duke shtruar pyetjen: a mund të plotësojmë dëshirat tona për miqësi dhe të harrojmë vetminë që na rrethon përmes komunikimit dixhital. Trupa me përvojë 13-vjeçare që drejtohet nga regjisorët Amir Kolben dhe Masha Waisiel  për më shumë se një orë mbërtheu spektatorët artdashës që kishin mbushur sallën e teatrit Aleksandër Moisiu. Në vijim të këtij festivali në skenën e teatrit të Durrësit u ngjitën dhe kërcimtarët Paul Ibey dhe Anton Pasquerella nga Kanadaja me spektaklin Coelacanth. Më pas performoi trupa sllovene EnKnapGroup me shfaqjen Sky të koreografit Simone Sandroni. Në edicionin e katërt të International Festival of Modern & Contemporary Dance u duartrokitën dhe performancat e trupave nga Greqia, Anglia, Hungaria, Italia dhe Shqipëria. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern Bashkëkohor, është një projekt që synon të kthehet në traditë. Festivali ka krijuar kushte mjaft të mira për njohjen e tendencave të dancit modern bashkëkohor, për studentët e degës së Koreografisë. Në fund të këtij aktiviteti organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Bashkëkohor do të nderojnë me Çmimin e Karrierës një nga balerinët apo koreografët e shquar shqiptarë në vite.

Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Premte, 23 Prill 2010 08:23

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›