Banorët e Gjegjanit ndalin punimet në autostradë
Një grup banorësh të fshatit Gjegjën në Kukës kanë bllokuar dje në mesditë punimet në autostradë, pasi kërkojnë dëmshpërblim për banesat e prishura. Punimet në aksin e autostradës në Gjegjën, përkatësisht në lagjen e re të këtij fshati të Rrethit të Kukësit kanë dëmtuar pothuajse gjithçka: rrugëkalimet, ujësjellësin dhe disa shtëpi banimi. Aty realisht është segmenti më i vështirë i krejt aksit, që kalon në Rrethin e Kukësit, siç ka pohuar supervizori italian, Antonio Cibaldi, pasi terreni është i paqëndrueshëm dhe shembet vazhdimisht. Por ajo që nxiti reagimin e ashpër të banorëve dje është çmimi për shtëpitë e prishura. Skëndër Hasa, tregon se ndërtuesit i kanë prishur dy shtëpi nën garancinë e Drejtorisë së Shpronësimeve dhe Pushtetit Lokal. Por ai nuk bie dakord me çmimin e caktuar, 500 mijë lekë për një banesë. Banorët tregojnë që autostrada, e cila u kalon shumë afër, i ka izoluar nga pjesa tjetër e fshatit, ndërsa skarpati i thellë përbën rrezik për jetën e tyre. Banorët kanë reaguar edhe më parë, por me maturi për të mos lënë shteg keqkuptimi.