Arrestohet për korrupsion drejtori Doganës së Beratit
Drejtori i Doganës në Berat ka rënë në prangat e policisë së bashku me një doganier. Hodo Hasani, drejtor i Doganës së Beratit, dhe Shaban Danushi, doganier, kanë rënë në prangat e policisë rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, pas një aksioni që ka ndërmarrë Zyra e Luftës Kundër Krimit Ekonomik në Berat, në bashkëpunim me Drejtorinë në Tiranë. Aksioni i koduar FASON mësohet se është vënë në zbatim pas rezultateve të hetimeve të nisura prej disa ditësh, për kreun e Doganave në Berat dhe doganierin Danushi. Të dy këta persona akuzohen për veprën penale të "korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike". Në kohë të ndryshme, ata akuzohen se kanë favorizuar në praktikat doganore aktivitete dhe persona të ndryshëm, kundrejt ryshfeteve. Hetimet ndaj numrit një të doganës dhe doganierit të pranimit, kanë ardhur pas shumë denoncimeve të mbërritura në Zyrën e Krimit Ekonomik në Berat dhe pas një pune operative u bë i mundur arrestimi i tyre. Ata u arrestuan pas një urdhër-ndalimi që Prokuroria e Rrethit të Beratit lëshoi ndaj tyre dje në mbrëmje. Gjatë kontrollit të bërë në banesat e të arrestuarve mësohet se u bllokuan në cilësinë e provës materiale 250 mijë lekë, 300 euro, tre aparate celularë, dy automjete, si dhe dokumente të praktikave doganore që i implikon në veprimtarinë e paligjshme. Policia bëri të ditur se pas lëshimit të urdhër-ndalimit u mundësua arrestimi i shefit të Doganës së Beratit dhe punonjësit të pranimit, të cilët gjatë natës janë marrë në pyetje në lidhje me akuzat. Ndërkohë, burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat theksojnë se po punohet për identifikimin personave të tjerë të përshirë në veprime korruptive. Burime policore sqarojnë se drejtori i doganës dhe doganieri u vunë në pranga pak minuta pasi kishin marrë një sasi parash në formë ryshfeti nga një biznesmen beratas. Biznesmeni që ka dhënë paratë për të kryer në kohë veprimet doganore, kishte njoftuar më parë policinë për veprimin që po kryente dhe kishte regjistruar numrat e serisë së lekëve që dha si ryshfet. Pikërisht këto para, me numra serie të regjistruar, iu gjetën drejtorit të doganës Hodo Hasani dhe doganierit të pranimit Shaban Danushi. Me këtë provë në dorë, policia e ka pasur të lehtë të sigurojë një urdhër-arresti nga prokuroria e rrethit.