Nisin kërkimet për mbretëreshën Teutë në Shkodër
Kalaja Rozafa do të jetë objekt kërkimi arkeologjik dhe një ekspeditë arkeologësh shqiptarë e të huaj do të jetë së shpejti e pranishme në Shkodër . Këtë e pohon drejtori i parkut arkeologjik të Shkodrës, Nikolin Shati, sipas të cilit shumë shpejt do të nisë puna në terren. Në qendër të punës së kësaj ekspedite do të jetë gjetja e gjurmëve të arkitekturës ilire. Është një nismë e ndërmarrë nga profesori polak i arkeologjisë, Piotr Dyzcek, i cili ka prezantuar projektin e tij të gërmimeve. Bashkë me specialistë të huaj do të jenë dhe shqiptarë, që do të bashkëpunojnë në këtë nismë. E rëndësishme është që ky projekt është miratuar dhe nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, shprehet drejtori Shati. Sipas tij, kjo iniciativë është e Qendrës së Studimeve Antike për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës, përfaqësuar nga profesor Dyzcek. “Marrëveshja e nënshkruar ka një afat 5-vjeçar dhe faza e parë është ajo e survejit, pasi zona është një zonë alivionale me mbushje të mëdha nga lumenjtë përreth dhe nisur nga kjo mendohet se tabani arkeologjik, gjetjet arkeologjike do të jenë në një thellësi 2.5 - 3 m. Faza e parë përfshin zonën e rrastë të qytetit antik, nga ura e re e Bunës, ura e Bahçallekut deri te Xhamia e Plumbit. Në varësi të këtij testimi, në shator do fillojnë gërmimet që i përkasin fazës së dytë,” thotë Shati. Sipas historianëve, në këtë zonë ka një qytetërim mbi 2400-vjeçar. Vlerat arkeologjike janë shtresëzuar, ndaj duhet të bëhen gërmime të thella. Për të shkuar në kohën osmane, duhet të gërmohet rreth 7 metra në thellësi, ndërsa për helenistikën apo më tej duhen më shumë se 10 metra thellësi. Nisja e këtyre ekspeditave dhe marrja e rezultateve të pritshme do ta kthejnë realisht Shkodrën në një qendër të rëndësishme për turizmin.
Zbulohen gjurmë të neolitit të mesëm dhe të vonë
Kosova në bashkëpunim me Shqipërinë kanë nisur gërmimet në Reshtan të Suharekës, duke kërkuar gjurmët e humbura të një qendre të madhe banimi që i përket kohës së neolitit të mesëm dhe të vonë. Sipas arkeologut nga Prizreni Shafi Gashi, gërmimet në vendbanimin parahistorik të fshatit Reshtan janë projekt i Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës. Ekzekutues i projektit është Instituti Arkeologjik i Kosovës. Arsyeja pse po ndodh ky gërmim është se këtu, muajt e ardhshëm, do të ndërtohet rruga e re Suharekë - Studençan. Gërmimet kanë karakter shpëtimi, pasi ky vendbanim është një ndër qendrat shumë të mëdha të neolitit të mesëm. Në këto gërmime është angazhuar një ekip i përbërë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës me Universitetin e Prishtinës, të Tiranës dhe të Shkupit. Për gjetjet e këtyre gjurmëve, deri tani është arritur të dokumentohen tre horizonte të banimit të neolitit të mesëm dhe të neolitit të vonë, ku janë gjatë gërmimeve janë gjetur gjurmë arkitektonike, gjurmë të banesave të kësaj periudhe, me dysheme vatra dhe shumë objekte të lëvizshme, të cilat janë në proces të pastrimit dhe të përgatitjes së katalogut për botim. Arkeologu shqiptar, prof. dr. Adem Bunguri, projektin e ka quajtur shumë të rëndësishëm. “Ky vend arkeologjik është nga më të rëndësishmit në parahistorinë e Kosovës dhe të Ballkanit Qendror. Në vitet e ‘70-ta, këtu janë bërë tri fushata gërmimi, por nga arkeologët serbë botimi i plotë i materialit kurrë nuk u realizua”, tha arkeologu Bunguri. Ai theksoi se me këto gërmime për herë të parë u fiksuan horizontet e banimit, kaligrafia e këtij vendbanimi dhe u pa qartë dhe po dokumentohet me materiale faktike kultura, e cila dominohet nga dy komponentë kryesorë: komponenta adriatike dhe komponenta ballkano- qendrore.
Zbulimet nënujore shqiptare prezantohen në Korfuz
Në ishullin e Korfuzit po mbahet Kongresi i 14-të Botëror i Studimeve Mesdhetare, organizuar nga Universiteti i Darmuth-it në Masachuset, USA dhe Universiteti Ionian i Korfuzit. Në këtë kongres do të referojnë disa nga akademikët e qendrave të mëdha të studimit bizantin në universitetet amerikane, si dhe studiues të çështjeve hebraike dhe islame nga Universiteti i Jerusalemit dhe Stambollit. Një referat të veçantë në këtë aktivitet do të mbajë edhe studiuesi Auron Tare si përfaqësues i Qendrës së Kërkimeve Detare, i cili do të prezantojë për herë të parë në këtë organizim shkencor zbulimet dhe studimet e deritanishme të arritura nga ekspedita e përbashkët shqiptaro-amerikane e zbulimeve nënujore. Këto zbulime kanë tërhequr kohët e fundit vëmendjen e botës shkencore dhe sidomos në Amerikë, ku janë prezantuar në disa prej institucioneve më të rëndësishme shkencore, si në “The Explorer Club” në Nju-Jork. Në këtë tryezë shkencore do të hidhet dritë edhe mbi Incidentin e Kanalit të Korfuzit, një ngjarje e njohur për faktin se Marina Britanike ndeshi në mina dhe akuzoi forcat shqiptare, akuza të cilat precipituan në gjyqin e famshëm të Hagës. Ekspedita shqiptaro-amerikane mendon se ka gjetur vendndodhjen e bashit të mbytur të anijes britanike HMS Volage shumë pranë brigjeve shqiptare, duke vënë në pikëpyetje pretendimin britanik për një incident në ujërat ndërkombëtarë.
Djana Kolaj
Aida Tuci