Nisin ndryshimet

Kuvendi i Kosovës ka filluar implementimin e marrëveshjes politike ndërmjet PDK’së, LDK’së dhe AKR’së, duke i miratuar dy komisionet për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjin për zgjedhje.
Me këtë vendim të deputetëve - 76 vota për, 6 kundër dhe 4 abstenime, shkurtohet edhe formalisht mandati kushtetues i Presidentes dhe Kuvendit.
Ky shkurtim i afateve kushtetuese vjen pasi në marrëveshjen politike ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit parashihet që komisioni për amandamentimin e Kushtetutës do të kryejë punën e vet brenda 6 deri 9 muajsh. Pas miratimit të ndryshimeve parashihet edhe një fazë prej tre muajve për caktimin e zgjedhjeve të para presidenciale.
Të dy komisionet do të kenë nga nëntë anëtarë. I pari do të udhëhiqet nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami. Derisa Komisionin për reforma zgjedhore do ta udhëheqë deputeti i LDK’së, Haki Demolli.
Edhe ndryshimet e Ligjit zgjedhor, të cilat duhet të përfundojnë nga 8 deri 12 muaj, do të prodhojnë si rezultat zgjedhje parlamentare në fund të vitit 2013.
Megjithëkëtë, ndryshimet kushtetuese janë prezantuar si amandamentim për sa i përket nenit për zgjedhjen e Presidentit, duke përcaktuar që i pari i vendit në të ardhmen të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Të gjitha grupet parlamentare kanë vendosur të jenë pjesë e dy komisioneve, derisa Vetëvendosja ka kërkuar që ndryshimet e Kushtetutës të mos ndalen vetëm te zgjedhja e Presidentit.
Visar Ymeri i Vetëvendosjes ka thënë se Kushtetuta është e ngushtë për aspiratat e popullit të Kosovës dhe ajo duhet të ndryshohet në thelb.
“Nëse ndryshimi i Kushtetutës përfundon vetëm me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, atëherë nuk janë ndryshime këto. Ndryshimet duhet të jenë thelbësore, që e shndërrojnë atë në dokumentin më të lartë të një shteti sovran", ka propozuar deputeti i Vetëvendosjes.
Edhe Shefi i GP të LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë se miratimi i dy komisioneve do të ndikojë në përmirësimin e lëshimeve që ka pasur Kushtetuta dhe Ligji i zgjedhjeve.
“Pa dyshim që është interesi i qytetarëve dhe i të gjitha subjekteve politike që këto komisione të formohen dhe të bëhen këto ndryshime, në mënyrë që atje ku ka pasur evidencë për lëshime dhe të meta, ato të përmirësohen përmes infrastrukturës ligjore, duke filluar nga akti më i lartë, që është Kushtetuta”, ka deklaruar Beqiri
Por, në Kushtetutë nuk pritet të ketë ndryshime të tjera as sa u përket vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë.
Arben Gashi i LDK’së thotë se nga 20 vendet e garantuara për pakicat, do të kalohet në vendet të rezervuara, ashti siç e parasheh Pakoja e Ahtissarit.
Pikërisht mbi Planin e Pakos së Ahtissarit është ndërtuar Kushtetuta e Kosovës, e cila duhet të ketë aprovimin e 2/3 edhe të komunitetit pakicë për t’u ndryshuar.
“Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, duke përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës”, thuhet në nenin 144, pika dy e Kushtetutës.