E Shtunë, 31 Tetor 2026

Getafe e arabëve

Klubi spanjoll i futbollit, Getafe është blerë nga një grup i bizneseve nga Dubai, në krye me Sheik Butti bin Suhail Al Maktoum. Marrëveshja është finalizuar për 70-90 milionë euro, ndërsa Getafe bëhet klubi i tretë nga La Liga me pronar arab, pas Malagës dhe Racing Santanderit. Nga Express më 22 prill 2011 në ora 20:30

Një grup i bizneseve nga Dubai ka blerë klubin spanjoll të futbollit, Getafe, për së paku 70 milionë euro duke u bërë investitori më i ri nga Lindja e Mesme që merr në pronësi një skuadër evropiane.

The Royal Emirates Group of Companies nuk ka bërë të ditur shumën e saktë që pagoi për blerjen e Getafes, por Kaiser Rafiq, partner dhe drejtor menaxhues i grupit, tha se çmimi është rreth 70-90 milionë euro.

Grupi, i udhëhequr nga Sheik Butti bin Suhail Al Maktoum ka thënë se emri i klubit do të mbetet i pandryshuar, por “Team Dubai” do të shtohet në fanellat e ekipit, stadiumit dhe veshmbathjeve të tjera.

“Jemi të lumtur që jemi dëshmitarë të kësaj që ka ndodhur. Jemi të kënaqur që kemi nënshkruar këtë kontratë me klubin nga divizioni i parë spanjoll, Getafe. Po ashtu, jemi të lumtur që kemi përfshirë emrin Team Dubai. Shpresojmë që kjo të përmirësojë lidhjet mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Spanjës”, tha Sheik Butti.

Al Maktoum është investitori më i ri nga Lindja e Mesme që bleu një klub evropian, ndërsa bëhet pronari i tretë arab i një klubi nga La Liga.

Dy klubet e tjera janë Malaga, e blerë nga miliarderi nga Katari, Sheikh Abullah bin Nasser Al-Thani dhe Racing Santander që tani është pronë e manjatit indian nga Dubai, Ahsan Ali Syed.

“Blerja do të ngre Getafen në shkallën më të lartë të futbollit spanjoll dhe atij evropian”, ka thënë presidenti i klubit, Angel Torres.

Ndërsa Rafiq ka shtuar” “Për vitin e ardhshëm ne do të sigurojmë një vend në gjashtë pozitat e para. Vizioni ynë është që të mposhtim Real Madridin”.

Getafe përfundoi në pozitën e gjashtë, sezonin e kaluar, por ka vuajtur këtë vit. Ekipi aktualisht zë pozitën e 14-të në tabelë me 37 pikë. Rivali lokal Real Madridi është i dyti me 77 pikë.

Klubi, nga periferia e Madridit ka shikueshmërinë më të ulët në La Liga. Getafe u themelua më 1945, por ka qenë në elitën e futbollit spanjoll vetëm prej promovimit në sezonin 2004-2005.

Prej atëherë, është mposhtur dy herë në finale të Copa del Rey.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›