E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin regjistrimet në universitete, procedurat dhe dokumentet



Të gjithë personat e shpallur fitues në një degë universitare do të mund të regjistrohen në fakultet deri më 3 tetor. Regjistrimi është i nevojshëm për ata që janë shpallur për herë të parë fitues, si edhe për ata që kanë kaluar në preferencë më të lartë, sipas Ministrisë së Arsimit. Ndërkaq, pjesa tjetër e studentëve nuk ka përse të çregjistrohen e të riregjistrohen sipas ministrisë.

Çregjistrimi

Të gjithë kandidatët që janë shpallur fitues në një preferencë më të lartë, duhet të çregjistrohen nga dega e parë, e më pas të regjistrohen në degën tjetër. “Pas përfundimit të regjistrimeve paraprake, MASH kujton se kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht dhe të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Kandidatëve që çregjistrohen do t’u kthehet dosja individuale, me dokumentet e tyre”, – bëri të ditur Ministria e Arsimit.

Ndërkaq, kandidatët të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen. Pjesa tjetër e studentëve që u shpallën fitues për herë të parë, duhet të paraqiten në sekretarit e degëve përkatëse në universitete, së bashku me dokumentacionin përkatës.

Datat dhe dokumentet

MASH njofton të gjithë kandidatët se regjistrimi do të kryhet nga data 26 shtator deri më 3 tetor prej orës 08:00 deri në orën 18:00 në sekretaritë mësimore të fakulteteve. “Sekretaritë duhet të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve që janë shpallur fitues në një program studimi tjetër, të një preference më të lartë të tyre dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve, të shpallura nga APRIAL-i”, – bëri të ditur ministria.

Dokumentet e nevojshme janë: dëftesë pjekurie origjinale dhe në mungesë, një listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse; dokument identifikimi (Letërnjoftim, ID ose pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në mungesë të tyre, certifikatë me fotografi; 2 fotografi; si edhe një mandat arkëtimi të tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh (numri i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës).

Kontenierët shqiptarë bllokohen në Itali

Sërish është rishfaqur “kriza” e disvoltave, duke sjellë edhe shqetësimin e dhjetëra agjencive të transportit që operojnë në portin detar të Durrësit dhe që kryejnë tranzitimin e mbi 500 mijë konteinerëve me mallra brenda vendit, por edhe në Kosovë e Maqedoni. Nga Italia fqinje deri tani nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me heqjen e taksave që ky vend aplikon vetëm ndaj shoferëve shqiptarë. Me gjithë kërkesat e shpeshta prej vitesh të institucioneve tona për abrogimin e këtyre taksave, gjërat vazhdojnë të jenë njëlloj si më parë dhe shoferët e trajlerave trajtohen njëlloj. Shoqëritë e transportit rrugor, sindikatat e shoferëve të transportit ndërkombëtar kanë vite që kërkojnë trajtim të njëllojtë me atë të homologëve të tyre maqedonas, serbë e malazezë, por vazhdojnë të trajtohen në mënyrë të diferencuar me ata. Nga ana e tyre, zërat nga Durrësi në takime apo simpoziume të organizuara me partnerë italianë e kanë ngritur këtë shqetësim.

Ndërsa pritej nga Italia fqinje, abrogimi i ligjit që aplikon prej vitesh kundrejt kamionëve tonë të transportit kur shkelin territorin e saj, ende asgjë nuk është bërë. Shoferët shqiptarë vazhdojnë në mënyrë sistematike të paguajnë dy taksa shtesë në raport me kolegët e tyre të vendeve të tjera, të cilët jo vetëm që i vendosin ata në pozita diskriminuese, por i shkaktojnë edhe kosto financiare goxha të rëndë. Kamionët me targa shqiptare vazhdojnë të paguajnë për lejet e qarkullimit, të cilat i lëshon Ministria e Transporteve italiane me limite të caktuara si dhe taksën absurde të tonazhit të mallrave për çdo km/rrugë, të përshkuar në Itali. Vetëm shoferët e tre vendeve janë të penalizuar me këto taksa në shtetin fqinj. Kush ka guxuar t’i shmanget këtyre taksave, e ka paguar rëndë deri në bllokimin e mjeteve me ditë e javë të tëra nga ana e autoriteteve italiane. Agjencive të transportit rrugor iu duhet të përballen me një kosto financiare, prej së cilës homologët e tyre nga vendet fqinje si Serbia, Mali i Zi apo Maqedonia janë të përjashtuar. Kështu një transportues shqiptar ka në koston e shpenzimeve, për një rrugë me Italinë, shuma që variojnë nga 500 euro deri 1.000 euro, gjë që ndikon në mënyrë të ndjeshme në normën e fitimit. Përveç kësaj, dy herë në vit, kjo kategori e biznesit e cila operon me Italinë është e detyruar të humbasë javë të tëra pa punë deri në pajisjen me leje qarkullimi italiane, të cilat për shkaqe të ndryshme vonohen me muaj të tërë.

Universiteti, korpus i ri brenda 2010-s

Afro 500 studentë nga qytete të largëta të vendit, të cilët frekuentojnë studimet në Universitetin e Durrësit, edhe këtë vit akademik do të jenë të detyruar që të sistemohen në shtëpi me qira. Universiteti nuk iu garanton atyre konvikte siç ngjet në universitetet e tjera të vendit, ndaj në këto kushte do të akomodohen në banesa me qira. Studentët e regjistruar në universitetin “A.Mosiu” janë në veriu, jugu dhe zonat qendrore të vendit. Në dimër pronarët e banesave i lëshojnë ato me qira butë. Studentët të grupuar nga 4 deri 6 vetë marrin garsoniera apo hyrje 1+1 deri në përfundim të vitit akademik. Zonë tjetër që ofron lehtësi ekonomike për ta është edhe zona periferike apo Shkozeti. Ndërkohë universiteti ka siguruar fonde për ndërtimin e korpusit të ri që do t’i shtohet atij ekzistues në funksion të shtimit të degëve, për këtë qëllim është vënë në dispozicion ish-Klubi i kulturës së Portit Detar të Durrësit. Vetëm pas thithjes së fondeve do të kalohej në projektin e ndërtimit të konvikteve në funksion të Universitetit të Durrësit. Por ekzistojnë edhe variante të tjera për sigurimin e konvikteve për studentët. Kështu në zonën e Shkozetit ka një numër të madh magazinash gjigande në pronësi të shtetit, të cilat fare mirë mund të adaptohen në dhoma banimi sikurse u veprua disa vjet më parë për sistemimin e banorëve që kishin ndërtuar shtëpi pa leje në territorin e portit detar. Brenda vitit 2010, Durrësi do të ketë korpusin e tij universitar, ku padyshim do të zgjidhet përfundimisht edhe problemi i konvikteve për studentët e tij.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›