E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnesty International: “Gërdeci nxori në pah korrupsionin shtetëror”

Publikohet raporti i vitit 2009: “Shqipëria shkel të drejtat e njeriut”. “Trafikohen gratë, dhunë në familje, kushte të këqija në burgje”

Eljona Ballhysa
Organizata botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut publikoi dje raportin e vitit 2009 për respektimin e të drejtave të njeriut në botë. Një pjesë e veçantë në këtë raport i kushtohej situatës në Shqipëri, ku konstatohet se shpërthimi i depos së armëve në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, nxori në pah korrupsionin shtetëror dhe tregtinë e paligjshme të armëve. Në raport bëhet e ditur se në Shqipëri vazhdon trafikimi i grave dhe fëmijëve për qëllime prostitucioni, ndërsa dhuna në familje prek një ndër tri gra shqiptare. Amnesty International konstaton gjithashtu se niveli i papunësisë vazhdon të mbetet i lartë, pavarësisht se ekonomia ka shënuar rritje. Raporti u bë publik nga sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Irene Kahn, dhe përfshinte të dhëna për të gjitha shtetet e botës, ku në mënyrë të veçantë ka trajtuar ndikimin e krizës botërore ekonomike.
Gërdeci
Në raport theksohet se gjatë vitit 2008 në Shqipëri “akuzat për korrupsion janë rritur, por janë arrestuar vetëm zyrtarë të nivelit të ulët. Besimi në sistemin gjyqësor vazhdon të mbetet i ulët. Një investigim u ndërmor pas shpërthimit të një depoje armësh në muajin mars. Ministri i Mbrojtjes dha dorëheqjen dhe humbi imunitetin, ndërsa u arrestuan vetëm disa zyrtarë të Ministrisë. Shpërthimi shkaktoi 26 të vdekur, mbi 300 njerëz të plagosur dhe me qindra shtëpi të shkatërruara. Shpërthimi gjithashtu nxori në pah lidhjet e korrupsionit shtetëror dhe tregtinë e paligjshme të armëve”, - shkruhet në raportin e Amnesty International.
Zhdukjet
Një pjesë e veçantë në raport i kushtohet zhdukjes së Remzi Hoxhës. Raporti shkruan se në muajin mars ka nisur një gjyq që përfshin 4 ish-zyrtarë të Shërbimit Sekret Shtetëror, të cilët akuzohen për rrëmbimin dhe ushtrimin e torturave ndaj tre personave në vitin 1995. “Mbetet ende i panjohur fati i një prej viktimave të shqiptarit me origjinë nga Maqedonia, Remzi Hoxha. Ilir Kumbaro, një nga të pandehurit, po gjykohet në mungesë të tij, ndërsa në muajin shtator një person u kap nga Policia angleze që dyshohej se ishte ai. Ndërkohë që Shqipëria kërkoi ekstradimin e tij, personi i dyshuar si Iir Kumbaro mohoi se ishte ai. Gjykata britanike po procedon hetimet mbi identitetin e tij dhe ende nuk i është dhënë përgjigje përfundimtare kërkesës së Shqipërisë për ekstradim”, - shkruhet në raport.
Dhuna kundër grave dhe vajzave
Raporti konstaton se pavarësisht kuadrit ligjor të miratuar për krijimin e shanseve të barabarta midis burrave dhe grave, situata mbetet e vështirë për gruan në Shqipëri. Raporti bën të ditur se dhuna brenda familjes është e përhapur kudo dhe mendohet se prek një ndër tri gra shqiptare. “Nëntë muajt e parë të vitit 2008 policia regjistroi 612 raste të dhunimit të grave, ndërsa shumë të tjera besohet se nuk raportohen. Autoritetet morën masa për mbrojtjen e viktimave, shumica prej të cilave janë gra. Pak raste të dhunës në familje janë ndjekur penalisht vetëm kur dhuna ka shënuar vdekjen e viktimës. Midis muajit janar dhe shtator policia raportoi kërkesën për mbrojtje ndaj abuzuesve të 253 viktimave. Megjithatë, gjykata, në shumicën e rasteve, nuk i shqyrtoi këto kërkesa për shkak se u tërhoq kërkesa ose viktimat nuk u paraqitën në gjykatë”, - shkruhet në raport.
Amnesty International e konsideron alarmante situatën përsa i përket trafikimit të grave dhe fëmijëve për qëllime prostitucioni. “Gratë dhe vajzat vazhdojnë të trafikohen dhe të detyrohen të ushtrojnë prostitucionin veçanërisht në Greqi dhe Itali, ndërsa fëmijët detyrohen të lypin. Vazhdon të mbetet e dobët mbrojtja e viktimave nga shteti dhe policia mbështetet më së shumti te viktimat për të denoncuar trafikun. Gjatë vitit Gjykata e Krimeve të Rënda gjykoi 30 të pandehur me akuzën e trafikimit të grave për shfrytëzim seksual dhe 6 të pandehur u gjykuan për trafikimin e fëmijëve”, - shkruhet në raportin për të drejtat e njeriut për Shqipërinë.
Tortura ose keqtrajtimi
Në raportin e Amnesty International bëhet e ditur se në dhomat e paraburgimit vazhdon të ushtrohet dhunë ndaj të arrestuarve. “Ka deklarata se është ushtruar dhunë ndaj të dënuarve duke i torturuar ose keqtrajtuar, zakonisht menjëherë pas arrestimit ose gjatë seancës së marrjes në pyetje. Në muajin tetor ministri i Brendshëm deklaroi se gjatë tre viteve të fundit 128 policë kanë ushtruar akte arbitrare sipas zyrës së inspektimit të prokurorisë. Megjithatë, vetëm pak prej këtyre rasteve u gjykuan. Në përgjithësi procedimi gjyqësor ka nisur vetëm kur viktima është ankuar ose kur është rekomanduar nga Avokati i Popullit. Në asnjë rast prokuroria ose gjykata nuk ka marrë iniciativën për të nisur investigimet kur ka parë të dënuarin me shenja dhune të trup”, - bëhet e ditur në raport. Po kështu konstatohet se kushtet e të dënuarve janë të papërshtatshme, pasi mungon shërbimi shëndetësor. Madje, sipas Amnesty International, në Shqipëri të burgosurit me sëmundje mendore jetojnë bashkë me të burgosurit e tjerë dhe nuk marrin shërbim të specializuar mjekësor. Ndërsa burgjet vazhdojnë të jenë të mbipopulluara. “Janë hapur tre burgje të reja, por janë të mbipopulluara. Numri i të burgosurve në burgje në muajin nëntor kapi shifrën 4666 të burgosur, duke shënuar 900 të burgosur mbi kapacitetin e burgut. Komiteti Shqiptar i Helsinkit në muajin nëntor kritikoi kushtet e burgut të ri të Fushë-Krujës, në mënyrë të veçantë kushtet në qelitë ku kishte shumë lagështirë për shkak të dusheve të prishura. Komiteti i Helsinkit kritikoi kushtet e vështira higjienike të burgut të grave në Tiranë”, - shkruhet në raport.
Të drejtat e banesës
Sipas Amnesty International, “shteti shqiptar ka dështuar në zbatimin e ligjit që u garanton banesë jetimëve që mbushin moshën e pjekurisë. 300 të rritur që janë jetimë vazhdojnë të ndajnë dhomën me fëmijë jetimë në kushte të papërshtatshme dhe që rrit përjashtimin e tyre nga shoqëria. Ata vazhdojnë të mbeten të papunë për shkak të mungesës së kualifikimit dhe mbijetojnë me një asistencë minimale. Mungesa e banesave vazhdon të shënojë një numër të madh të pastrehësh, që kap shifrën 45 000 familje të regjistruara. Ndërsa niveli i papunësisë vazhdon të jetë i lartë, pavarësisht progresit ekonomik. Më shumë se 18% e popullsisë vazhdon të jetojë nën minimumin e varfërisë. Ky grup i popullsisë vuan mungesën e kushteve kryesore, siç është edukimi, furnizimi me ujë, shërbimi social dhe ai shëndetësor”, - shkruhet në raportin e Amnesty International për Shqipërinë.

29 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›