E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nisja e punimeve për Teatrin Kombëtar/ Berisha: Akt në kundërshtim me Kushtetutën nga qeveria bandë

Kryetari i Partisë Demokratike, zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha, e ka konsideruar një akt në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nisjen e punimeve për ndërtimin të Teatrit të ri Kombëtar. Berisha tha se ky projekt nuk do të pranohet kurrë nga opozita ndërsa shtoi se PD nuk do të ndalet por do të bëjë gjithçka për zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

“Akt në kundërshtim të hapur me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon procedimin e mëtejshëm në atë truall, ia kthen atë qeverisë. Ky është vendi i vetëm kur vendimet e Kushtetueses rrëzohet me një vendim të qeverisë. Nuk ndodh kund në botë kjo. Paralajmëroj Veliajn se me këtë akt ai po nxit me të gjithë forcën përplasjen me qytetarët. Ai është një kukull e Ramës, por do e paguajë vetë këtë akt. Paralajmëroj ndërtuesin, në emër të PD i them mos u bëj mashë e vendimeve anti kushtetuese të qeverisë dhe Veliajt. Populli opozitar nuk do ta pranojë kurrë atë projekt. PD do të bëjë gjithçka për zbatimin e vendimit të Kushtetueses”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe tek shembja e pallatit të dëmtuar nga tërmeti në rrugën “Myslym Keta”. Për Berishën, vendi ka një kryetar bashkie që mendon vetëm si të vjedhë taksat e qytetarëve.

“Ajo që u zhvillua në rrugën “Myslym Keta” ishte një dramë e atyre banorëve e krijuar nga tërmeti, por e rënduar në mënyrë çnjerëzore nga qeveritarët vendorë dhe qendrore pasi pafytyrësisht zgjodhën pragun e festave për të përdorur fadromat për t’i nxjerrë me forcë. U trajtua sikur të ishin kavje dhe jo qytetarë të një vendi nga një kryetar bashkie që mendon si të vjedhë taksat e qytetarëve, tha Berisha.

I pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, deputeti Luciano Boci, bëri të ditur se Partia Demokratike, ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për udhëtimet me charter të kryeministrit Edi Rama. Boci tha se kërkesa është firmosar nga 35 deputetë të PD, ndërsa shpreson  që Kuvendi të ngrejë menjëherë komisionin hetimor.

“Lajmi tjetër është kërkesa jonë për ngritjen e komisionit hetimor për charterat, shpenzimet marramendëse, milionëshe të Kryeministrit. Falë kontributit të gjithë deputetëve të PD është depozituar me 35 firma, që e bën të detyrueshëm ngritjen e këtij komisioni. Shpresoj që Kuvendi si ka vepruar deri tani si pengues të heqë dorë nga pengesa e të ngrejë menjëherë komisionin hetimor”, tha Boci.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›