Çfarë nuk pati Jeruzalemi?
-Shkurt: E pati vetëm Shkodra!
Të ketë diçka më shumë një njeri, qytet apo vend, nuk është, për çdo rast, mburrje, krenari a shitmendje. Më saktë, atë diçka më tepër, Shkodra nuk e ka dashur kurrësesi ta kishte. Ose, siç thuhet, do të paguante kushedi se sa, të mos e provonte. Por, ia detyroi përdhunshëm komunizmi, i cili, pasi i pushkatoi e burgosi klerikët; pasi i zhbiu e tjetërsoi kishat, hapi muzeun më të veçantë në historinë e njerëzimit, qysh nga Viti Një pas Krishtit e këndej, nën emërtimin dyfjalësh: “Muzeu Ateist”.
Më ka rastisë, për arsye zyrtare, të udhëtoj dy herë në Izrael, dhe t’i kaloj netët në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit. Kurse, në Shkodër, nuk numërohet, se sa herë kam shkuar. Gati, gjithmonë, atje më ka pritur miku im Ahmet Osja, një specialist i shkëlqyer i bujqësisë dhe një ciceron i pashoq i qytetit të madh verior.
E them pa tepri: Askund ku kam shkuar nëpër botë, nuk më ka drithëruar si vënia këmbë në Jeruzalem. Askund ku kam shkelur në mbarë Shqipërinë, nuk më ka vënë në mendime se sa vajtjet në Shkodër.
Çfarë i bën të afërta, madje të ngjashme, por nxitëse e deri të përjetshme, Shkodrën dhe Jeruzalemin? Nuk është, thjeshtë, vjetërsia e tyre, edhe pse, pikërisht, lashtësia vërteton madhështinë e të dy qyteteve. Simom Sebag Montefiore, qytetit me mbi 3000 vjet jetë të pandërprerë, i ngre himn në librin e tij të pazakontë, me titull “Jeruzalemi”, i përkthyer edhe në gjuhën shqipe e i botuar nga shtëpia botuese “55”. Atëherë e sot e kësaj dite, qyteti biblik mbetet kryeqendër e historisë botërore dhe ëndërr e secilit njeri të planetit për pelegrinazh a vizitë atje. Shkodra e moçme, sipas Tajar Zavalanit, në veprën e tij serioze “Histori e Shqipërisë”, botuar herët në Londër, së voni edhe në Shqipëri, mbetet kryeqyteti i parë i shqiptarëve, si kryeqendra e Ilirisë.
Jeruzalemi është qyteti famëmadh i bashkëjetesës së tri feve bazë të njerëzimit: Hebraizmi, Krishtërimi, Islamizmi. Brenda për brenda mureve të Jeruzalemit të vjetër, rrinë pranë e pranë tri monumentet më të lashtë të tri feve. Te Muri i Perëndimit, ose siç thirret edhe Muri i Vajtimit apo Muri i Lotëve - murana më e hershme e shenjtë e hebrenjve - priftërinjtë ortodoksë hebrenj, vajtojnë dhimbshëm e me përpëlitje sa me ta këputë shpirtin, ndërsa pelegrinët, rrasin copëza letrash palosur, nëpër të çarat e gurëve të mëdhenj, me lutje drejtuar Zotit. Pak më tutje, ndoshta pesëqind metra larg larg, mbi kodrën biblike të Golgotës, gjindet kisha, zemra e së cilës është varri i Krishtit brenda saj. Shpirti njerëzor mbërrin aty, duke përshkuar stacionet e Rrugës së Mundimeve, nëpër të cilën eci e u rrëzua Mesia, duke mbartë mbi shpinë kryqin para kryqëzimit të vet. As njëqind metra largësi, në krahun tjetër të Murit të Perëndimit, ngrihet xhamia e famshme Al Aqsa, ku, sipas Kuranit, profeti Muhamet ka shkuar me mrekulli dhe është falë. Kjo pranëvënie ngjall paqë te çdo njeri që shkon paqësisht në Jeruzalem; nxit përjetime të paprovuara; kohërat të përthithin dhe nis të besosh që, Jeruzalemit nuk mund t’i pranvihet një qytet i dytë.
Por, pabesueshmërisht, Shqipëria e ka Jeruzalemin e vet, që e bën paksa të ndryshëm, nga që ka diçka më tepër se edhe Jeruzalemi i Izraelit. Atje, në Shkodër, kishat katolike famëmëdha, nuk gjinden larg xhamisë së bukur dhe, diku pranë tyre, është dhe kisha ortodokse. Çështja nuk duhet kërkuar, nëse ato janë më të lashta se sa të Jeruzalemit, por bashkëjetesa mes tri besimeve fetare të mëdha - myslimanizmit, katolicizmit, ortodoksizmit - është shumë e hershme, një harmoni të cilën, të huajt, kur e njohin edhe rastësisht, mbeten të befasuar, edhe deri në moskuptim. Ajo që e përafron deri në skaj, Jeruzalemin dhe Shkodrën, është sakrifica. Atje, para 2000 vjetësh, u kryqëzua Krishti. Këtu, pas 2000 vjetësh, u kryqëzua besimi në Zot. Atje Krishti u ngjall. Këtu u ringjall Feja.
Me kaq mbarojnë ngjashmëritë, në një përputhje të pabesueshme. Ndryshimi është në tjetërçka. Komunizmi, pasi i ekzekutoi klerikët; pasi i zhbiu objektet e kultit; pasi e ndaloi fenë me kushtetutë; krimin e vulosi në një hapësirë muzeale, m’u në qendër të qendrës së Shkodrës, duke gozhduar mbi traun e derës hyrëse, një tabelë me mbishkrimin më të pashoq, në botë e në kohëra: Muzeu Ateist! Shkodra, që në histori mbeti kryeqyteti i parë i shqiptarëve; Shkodra, që u kërkua e u argumentua nga At Gjergj Fishta, të bëhej kryeqytet i Shqipërisë së pavarur më 1912; kjo Shkodër, u përzgjodh nga komunizmi, për të shënjuar atë që nuk e përjetoi Jeruzalemi: U shpall kryeqyteti botëror i ateizmit.
Shkodra është një histori madhështore që trondit.