Nisma, PS propozon heqjen e TVSH-së për produktet kryesore dhe ilaçet
Partia Socialiste do të paraqesë në Parlament një nismë të re për lehtësimin e barrës fiskale që rëndon në xhepat e qytetarëve. Në një konferencë për shtyp, deputetja socialiste, Mimi Kodheli, bëri të njohura disa nga pikat e kësaj nisme, e cila synon mbushjen e arkës së boshatisur të shtetit.
PS sugjeron heqjen e TVSH-së për disa nga produktet e konsumit të përditshëm dhe ilaçet.
Heqja e TVSH-së për produktet kryesore e ilaçet dhe përgjysmimi i saj për produkte të tjera bazë do të ishte lehtësimi i kësaj barre që rëndon mbi qytetarët shqiptarë. Ne kishim të drejtë kur thamë së çmimi i ilaçeve do të rritej. Sot çdo qytetar i paguan shtetit 10 për qind më shumë për ilaçet, tha Kodheli.
Duke ftuar përfaqësuesit e qeverisë të ulen dhe të shqyrtojnë nismën për të çliruar qytetarët nga barra fiskale, Kodheli u shpreh se pikërisht këto janë disa nga premtimet për të cilat Partia Socialiste është votuar në zgjedhje.
Kemi fituar zgjedhjet edhe për këto premtime dhe do të luftojmë në Parlament që ky çlirim të ndodhë jo kur të vijmë ne në qeverisje, por të ndodhë që sot. Ne jemi në krah të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Shpresoj që qeveria të ulet dhe të lehtësojë barrën fiskale, të mund të gjejë para për të mbushur arkën e shtetit, duke kërkuar para në të gjitha aferat korruptive që ne përballemi përditë. Ne jemi në Parlament për të përcjellë zërin e qytetarëve, përfundoi Kodheli.
G.N. /Redaksia Online