E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tavo: Nuk i trembemi reformës

GJIROKASTËR- Deputeti i qarkut Gjirokastër, njëherazi nënkryetar i Parlamentit Shqiptar, Vangjel Tavo, ka hedhur poshtë zërat për përçarje brenda radhëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Deklarata është bërë gjatë një takimi të Lëvizjes Rinore për Integrim në qytetin e Gjirokastrës, ku kanë qenë të pranishme gjithashtu Monika Kryemadhi dhe Erisa Xhixho. Gjithashtu, Tavo është shprehur për trefishim të elektoratit deri në vitin 2013 dhe se LSI-ja nuk i trembet reformës zgjedhore.

“Ky takim është prova më e fortë kundër deklaratave dashakeqe për përçarje të hamendësuar brenda radhëve tona. Ky entuziazëm tregon më së miri se ne jemi më të fortë e më të bashkuar se kurrë. Vendi ndodhet përpara sfidave të vështira. LRI dhe LSI do të jenë promotorë të të gjitha reformave, duke filluar nga ajo zgjedhore. Në vitin 2013, në qarkun e Gjirokastrës, LSI-ja do të trefishojë mbështetjen në komunitet, ndaj e ritheksoj se ne nuk i trembemi asnjë sfide apo reforme”, ka theksuar Tavo.

Ndërsa për anëtaren e strukturave drejtuese të LSI-së, Monika Kryemadhi, forca politike që përfaqëson do të jetë tërësisht e fokusuar në punësimin e të rinjve. Ajo është shprehur gjithashtu se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, LSI-ja do të jetë forcë fituese në të gjithë vendin, si dhe në qarkun e Gjirokastrës. / Entela Bani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›