E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse turistët e huaj nuk vijnë në Shqipëri?

E dhëna më interesante prej turizmit të këtij viti gjatë muajve të verës ka të bëjë me rritjen e interesimit të të huajve për të kaluar do ditë në zonat malore të Shqipërisë, dhe për të vizituar site e parqe arkeologjike. Këto të fundit janë vizituar gjatë periudhës janar-gusht nga pothuaj 80 mijë vetë (një pjesë e mirë e të cilëve janë vendas). Butrinti, siç është e pritshme, ka qenë siti më i vizituar; 25 mijë vizitorë kanë regjistruar aty.

Ndër zonat malore më të frekuentuara kanë qenë Thethi e Valbona, ku kanë bujtur respektivisht 10 e 17 mijë turistë vendas e të huaj, të cilët parapëlqejnë çadrat për të kaluar netët, por ndillen dhe nga ideja e bujtinave, të cilat janë, megjithatë, të pakta në numër e me pak shtretër.

E dhëna më negative ka të bëjë me faktin, që shumica dërrmuese e turistëve janë shqiptarë. Është vetë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, që bën të ditur se prapa klasifikimit të huaj fshihen emigrantët që rikthehen në shtëpitë e tyre për ca ditë, dhe shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e troje të tjera të botës shqiptare. Nga 3 milionë vizitorë, gati 900 mijë kanë qenë emigrantë të rikthyer për një copë herë në Atdhe, ndërsa më shumë se gjysma e pjesës së mbetur janë shqiptarë (Sipas Shqip-it të sotëm). Numri i turistëve mirëfilltazi të huaj nuk i kalon të 500 mijët. Në këtë kuptim, nuk duket se ka arsye, që ndokush të rrahë gjoksin e të brohorasë për arritje. Përkundrazi, është vendi për të diskutuar pse Shqipëria, ndonëse pa kosto e me plot surpriza të natyrës egzotike, nuk parapëlqehet si destinacion turistik nga të huajt.

Respublica.al

http://respublica.al/artikuj/2011/9/17/pse-turistet-e-huaj-nuk-vijne-ne-shqiperi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›