E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisma kushtetuese, deputetët e PD-së rrëzojnë kërkesën e Berishës



Komisioni Parlamentar i Ligjeve, i cili është mbledhur dje pasdite, ka rrëzuar kërkesën e deputetëve demokratë për zgjedhjen e presidentit nga populli. Ndonëse kryeministri Sali Berisha u premtoi deputetëve të PD-së, që mbështetin presidentin Topi, se do t’i mbështesë në nismën e tyre për një president që zgjidhet nga populli, deputetët e tjerë të PD-së në Komisionin e Ligjeve nuk i janë bindur kërkesës politike të liderit Berisha. Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi në tërësi me shumicë votash, në mbrëmjen e djeshme, paketën e ndryshimeve në Kushtetutë, të propozuara nga PD dhe PS, të cilën ia përcolli për miratim seancës plenare të Kuvendit. Përfaqësuesit e PBDNJ-së dhe LSI-së votuan kundër këtyre ndryshimeve. Amendamenti më i rëndësishëm i miratuar dje në komision lidhej me procedurat e zgjedhjes së Presidentit, për të cilin u paraqitën dy variante. Varianti i parë ishte formula e përfshirë në draftin PD-PS, sipas të cilit votimi në Kuvend i kreut të shtetit të bëhet me pesë raunde. Në tre raundet e para votimi të jetë me 3/5, ose me 84 vota dhe në rast se nuk arrihet kjo shumicë, në dy raundet e fundit (4 dhe 5) Kuvendi ta zgjedhë Presidentin me shumicë të thjeshtë (70+1 vota). Për këtë variant votuan pro shumica e deputetëve në komision. Ndërsa varianti tjetër, i propozuar nga një grup deputetësh të djathtë, që propozonte zgjedhjen e Presidentit nga populli, u rrëzua në komision. Megjithatë të dy variantet do t'i përcillen për shqyrtim seancës plenare të Kuvendit.

19 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›