E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria dërgon për gjykim autorët e dyshuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës



TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi dje hetimet dhe dërgoi për shqyrtim gjyqësor dosjen penale në ngarkim të katër të pandehurve, që akuzohen për zhdukjen e shtetasit kosovar Remzi Hoxha në vitin 1995 në Tiranë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur sot se të pandehurit e kësaj dosjeje, e cila i ka kaluar Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë: Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, aktualisht me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Ministrinë e Financave; Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë; Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë e SHIK-ut Tiranë dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, katër të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në muajt shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vajin të rrethit Lezhë, ku janë torturuar për disa ditë dhe nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha. Të pandehurit akuzohen për veprën penale të “rrëmbimit të personit” dhe “torturës me pasoja të rënda”, të parashikuara tri herë për nenin 109/1 e 25 dhe tri herë për nenin 87 e 25 të Kodit Penal.

19 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›