Nisma rajonale “EUSAIR”, Shqipëria do të presë 500 përfaqësues të KE

500 përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe 10 nga vendet e rajonit do të jenë në Shqipëri më 16-18 maj, në forumin e 7-të të nismës rajonale EUSAIR.
Lajmin e ka bërë me dije Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shkruan se në forum do të diskutohet mbi integrimin evropian, agjendën e gjelbër, turizmin dhe kulturën.
“Në 16 – 18 maj në Shqipëri do të mblidhen mbi 500 përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe 10 vende të rajonit, në forumin e 7-të të nismës rajonale EUSAIR. Nën moton e presidencës shqiptare “BE – Rinia – Shkëmbimi Kulturor – Rajoni Adriatiko – Jonian”, në forum do të diskutohet mbi integrimin evropian, agjendën e gjelbër, turizmin, kulturën dhe ndërlidhjen, si përmes digjitalizimit ashtu edhe përmes transportit dhe infrastrukturës”, shkruan Ministrja.
Strategjia e BE-së për Rajonin Adriatik dhe Jon (EUSAIR) është një strategji makro-rajonale e hartuar nga Komisioni Evropian në bashkëpunim me vendet e NAJ dhe u miratuar nga Këshilli në 2014. Objektivi i përgjithshëm i EUSAIR është të promovojë rritjen ekonomike dhe sociale në rajon, duke përmirësuar konkurrencën dhe ndërlidhjen e tij. Kjo Strategji synon gjithashtu të kontribuojë në integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
/rtsh.al/