Ish-sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në Tiranë! Të hënën aktivitet me Kuvendin, nderim nga UT dhe vizitë te MEK

Ish-sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka mbërritur në Tiranë, në vizitën e tij të parë në vendin tonë. RTSH.al mëson se Pompeo ka mbërritur rreth orës 16:00, ndërsa është pritur nga Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Pompeo ndodhet në Shqipëri pasi do të vlerësohet me titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”. Ceremonia do të organizohet ditën e nesërme (16 maj), ndërsa titulli do t’i jepet nga Universiteti i Tiranës. Po ashtu, ish-sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë edhe në një aktivitet të Kuvendit, kur prite të flasë edhe kryeministri, Edi Rama.
Pas këtij aktiviteti, Pompeo do të zhvillojë një vizitë në kampin e muxhahedinëve, ku janë strehuar anëtarë të opozitës iraniane MEK.
Mike Pompeo ka qenë sekretar i Shtetit Amerikan gjatë kohës kur presidenti i SHBA ishte Donald Trump.
/rtsh.al/