E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotografohet anija amerikane, alarm për rrezik

Targat e makinës prej nga u fotografua anija rezultuan se ishin false


SARANDË - Një anije ushtarake amerikane e ankoruar ditët e fundit në portin e mallrave të Limjonit në Sarandë, në afërsi të portit të Marinës që ndodhet pak më tutje, ka alarmuar strukturat e rendit të policisë lokale në Tiranë.

Shkak është bërë shfaqja e një automjeti të dyshimtë në afërsi të anijes, prej të cilit thuhet se janë bërë fotografi nga personat që ndodheshin brenda, duke pasur për objektiv pikërisht anijen ku valëvitet flamuri amerikan.


Sipas burimeve jozyrtare, tejet të rezveruara, si nga strukturat e policisë e si nga ato të Marinës në Sarandë, në atë automjet, tip "Audi", ngjyrë jeshile, janë parë tre persona, dy me mjekër, e një pa mjekër, me flokë bjond.


Targa e automjetit, e fiksuar nga kamerat e vëzhgimit të anijes, siç janë fiksuar nga këto kamera edhe personat brenda e akti i fotografimit, ka rezultuar fals, e kjo ka shtuar akoma dhe me shumë dyshimet. Aktualisht, strukturat blu janë vënë në kërkim të automjetit dhe personave që ndodheshin në të.


Misioni


Anija "Graplle", që ndodhet në portin e Limjonit, edhe pse ushtarake, ka ardhur për qëllime krejt të tjera. Në finale, puna e saj do jetë rezultat për një projekt turistik. "Grapple" ka për mision që të nxjerrë nga thellësia e ujërave në gjirin e Limjonit 6 anije ushtarake shqiptare të mbytura, të klasifikuara si të dala jashtë formacionit luftarak. Këto anijë më pas do të transferohen drejt brigjeve të Ksamilit, duke qëndruar po nën ujë, brenda një hapësire nënujore, ku do të ofrohet zhytje në kuadër të atraksionit turistik të zonës.


Dy prej tyre janë transferuar në Ksamil, e priten të transferohen dhe të tjerat. "Grapple" ka ardhur në Sarandë si pjesë e bashkëpunimit ushtarak shqiptaro-amerikan, ku kjo e fundit i ofron ndihmë palës shqiptare për operacione të ndryshme, siç do të jetë ky i nxjerrjes dhe i transferimit të 6 anijeve të mbytura.


Anijet ushtarake shqiptare të mbytura në gjirin e Limjonit i përkasin `97. Ata ndodhen në një largësi prej 200 metrash nga bregu. Vite më parë pothuajse ka dështuar një tentativë e forcave greke për t`i nxjerrë ato në sipërfaqe.


E janë amerikanët tashmë që kanë ardhur për të njëjtin mision. Anijet e mbytura janë Katër Silërues, Katri i Radës, Katri i Kufirit dhe dy gjuajtës.


Siguria


Edhe pse të alarmuara nga prania e një automjeti të dyshimtë, prej së cilit thuhet se është fotografuar, rreth e rrotull anijes amerikane nuk ka asnjë patrullë policore. Anija mund të fotografohet lehtësisht, mundësi që ta jep zona ku ajo ndodhet. Ajo provokon kureshtje për shkak të konstruktit të saj militar dhe për faktin se bie shumë në sy në raport me anijet e tjera, në vendin ku është ankoruar.


Rreth e rrotull portit të Limjonit në Sarandë është një zonë e ngritur, me rrugë e shumë ndërtime. Vetë anija është e pajisuar me shumë kamera vëzhguese, prej së cilës ka konstatuar dhe automjetin e dyshimtë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›