Një Edi Ramë i ri (... por me gjashtë muaj vonesë)Nga Skënder MinxhoziKush e ka dëgjuar të enjten pasdite Edi Ramën nga podiumi i protestës në Elbasan, mund të ketë vërejtur edhe një element që del i qartë nga fjala e tij para militantëve që rrinin n
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një Edi Ramë i ri (... por me gjashtë muaj vonesë)Nga Skënder MinxhoziKush e ka dëgjuar të enjten pasdite Edi Ramën nga podiumi i protestës në Elbasan, mund të ketë vërejtur edhe një element që del i qartë nga fjala e tij para militantëve që rrinin nën çadra. Në fakt, elementet janë dy dhe jo një. Më i pari është ai i një politikani krejt të ndryshëm nga imazhi paqësor dhe idilik i misionarit që brodhi gjithë Shqipërinë gjatë fushatës elektorale të qershorit, duke predikuar, më shumë se sa duke kërkuar vota. Tonet e Ramës (variantit të tij vjeshtor), janë ngritur, akuzat ndaj qeverisë dhe kryeministrit janë shumëfishuar në formë dhe në përmbajtje, shigjetat tashmë janë të helmatisura dhe jo të sheqerosura. Rama po kërkon përplasjen, në çdo formë dhe në çdo rast. Është ajo që bën çdo opozitë e një vendi demokratik. Ai po kërkon ta destabilizojë qeverisjen dhe kjo sërish është një armë legjitime në një lojë demokratike. Ai po kërkon të shkurtojë mandatin e saponisur të Berishës dhe Metës, e kjo përsëri është një e drejtë e pakicës.
Elementi i dytë i komunikimit politik të Edi Ramës me popullin e tij opozitar dhe të gjithë shqiptarët, konsiston në detajimin e fjalorit të tij, në referimet konkrete në shifra dhe probleme, në krahasime dhe deduksione. Këtë e kemi parë në të gjitha mitingjet e fundit të opozitës. Fjalimet e mërzitshme të fushatës së fundit, ku togfjalëshi “politikë e re” përsëritej deri në obsesion, tashmë ia kanë lënë vendin akuzave të bazuara në fakte, analizave që zbresin deri te çështjet sektoriale, si arsimi, shëndetësia apo infrastruktura. Gradualisht po shohim një kryetar opozite që po e mbush stilin e tij të komunikimit me atë materie dhe pulsim jete, që dikur i mungonte tërësisht. Është shfaqur gjuha e shifrave, krahasimeve dhe analizës ekonomike e sociale, e cila aq shumë u prit prej tij gjatë fushatës, kur shëtiste me programin voluminoz të qeverisjes në sqetull, pa “dekonspiruar” thuajse asgjë prej tij.
Një Edi Ramë i ri po lind gërmadhash - nëse do të perifrazojmë vargun e famshëm të Shilerit. Por me shumë vonesë, e për pasojë, me një barrë pafundësisht më të rëndë përmbi supe, përballë një shteti që tashmë është çimentuar në llogoren e tij qeveritare, duke rekrutuar vota të majta dhe përkrahje ndërkombëtare. Ky kryetar i ri i opozitës sapo ka nisur të ngjisë rrëpirën e pushtetit, pas një rrëzimi të zhurmshëm dhe në dukje, të pakthyeshëm. Por ky Edi Ramë është sot, në të gjitha kalkulimet e mundshme, shumë më brenda funksionit dhe logjikës së postit që mban prej katër vjetësh tashmë sesa ai i dikurshmi që betohej se do t’i asgjësonte të gjithë armiqtë e tij brenda ditës dhe me fishekë manovre. Rama ka kuptuar, me sa duket, më në fund, se cili është shtegu i vetëm që të çon, jo vetëm drejt faktorizimit, jo vetëm drejt kontrollit mbi partinë dhe gjithë spektrin opozitar, jo vetëm drejt popullaritetit më të madh të shqiptarëve të zhgënjyer nga kjo qeveri - por drejt pushtetit që s’diti ta fitojë me të butë, por që po synon të rimarrë me protestë dhe me ngritje zëri. Me sa duket ai e ka kuptuar, nga pozita e vështirë ku hodhi veten dhe të tjerët, se përballë Sali Berishës nuk duhet një klerik me kryq druri dhe me rruzare në dorë, por një lider populist sanguin, që është në gjendje të ndryshojë rrjedhën e një lumi, që më 28 qershor u kujtua se gjeti shtratin ku do të rrjedhë i qetë për katër vitet që vijnë.
Edi Rama ka ndryshuar. E tregon këtë edhe ndryshimi i Sali Berishës ndaj tij. Kryeministri ishte shumë komod me Edi Ramën e parë, tani nuk është më me këtë të dytin, që bërtet, në vend që të flasë dhe që nxjerr nga goja emra dhe akuza konkrete, në vend të predikimeve. Rama po futet në “fushën e kompetencave” të Berishës, po sillet si ai, po pretendon si ai. “Kundër-indikacionet” e këtij modeli politik i dimë, risqet e tij gjithashtu janë të njohura. Por ndoshta për opozitën sot ka më vlerë një injeksion besimi dhe gjallërie nga një lider populist sesa gjumi letargjik ku e majta rrezikonte të binte pas zgjedhjeve, e që siç dihet, shpesh përfundon me vdekjen e vetë organizmit.