E Diel, 1 Nëntor 2026

“Anëtarësimi në BE, projekti ynë, që do realizohet pavarësisht problemet politike të brendshme që na krijon opozita”

24-06-2012 / Nga Sali Berisha *

“Para së gjithash ju falënderoj që keni zgjedhur Shqipërinë për të zhvilluar aktivitetin tuaj, si dhe për temën mbi të cilën do të debatoni në këtë takim. Një Evropë e bashkuar është ideali dhe vlera më e madhe që Evropa ka krijuar në të gjithë historinë e saj. Prandaj ju duhet të ndiheni krenarë për baballarët dhe gjyshërit tuaj që e krijuan këtë bashkim. Ju jeni brez i ri dhe jeni me fat, por edhe unë personalisht që nuk kam mundur ta njoh Evropën e luftërave, e cila ishte shkatërrimtare. Por se si ishte ajo Evropë në atë kohë, ju mund të konkludoni duke parë Ballkanin 10 vjet më parë. Në një kohë kur BE gëzonte paqe, stabilitet, prosperitet, ky rajon kalonte një nga periudhat më të vështira të historisë, duke u përballur me probleme të tmerrshme etnike dhe më duhet tu konfirmoj se nuk ka rajon që të ketë ndryshuar më shumë gjatë kësaj kohe sesa rajoni i Ballkanit. Vende që luftonin kundër njeri-tjetrit 10 apo 15 vjet më parë, sot punojnë së bashku për të ndërtuar një të ardhme evropiane. Si ndodhi kjo? Vlera dhe ideali evropian janë forcat që na shtyjnë për një të ardhme të përbashkët. Unë e mora këtë shembull për tu treguar se sa i rëndësishëm është ky ideal për vendet e Evropës. Ky ideal i udhëheq kombet tona drejt një Evropë të re dhe më pëlqen shumë ideja juaj për një Evropë të re. Gjithmonë duhet të flasim për Evropën e re sepse ajo progreson, duhet të quhet një Evropë e re, e cila kërkon përpjekje të mëdha për të ecur përpara. Kështu, në Ballkan forca e vërtetë shtytëse ishte ideali i integrimit në BE. Ja pse ne kemi ndryshuar aq shumë dhe kjo po funksionon. Ne po punojmë për të plotësuar të gjithë standardet dhe kriteret për tu anëtarësuar në BE. Në këtë proces kaq të madh sigurisht që ka gabime të pashmangshme. Një nga gabimet ishte dhe themelimi i Euros, jo si është, por në themelet e saj. Nuk ishte gabim krijimi i një monedhe të përbashkët, por themelet e saj duhet të ishin studiuar më mirë. Tani Evropa po përballet me probleme serioze. Por një gjë është e sigurt, kjo nuk është vetëm kriza e euros, kjo krizë është një thirrje për Evropën për të ndërmarrë reforma më të mëdha, përpjekje më të mëdha për të zgjidhur krizën e euros, por njëkohësisht edhe për tu përballur me eficencë të madhe me globalizmin. Globalizmi është një nga arritjet më të jashtëzakonshme të planetit tonë, por që ka njëkohësisht kërkesat e saj, të cilave ne duhet ti përshtatemi. I gjithë sistemi duhet të përshtatet. Nuk kemi asnjë arsye për të qenë të palumtur me globalizmin. Pasi ai solli dy gjigandë, Kinën dhe Indinë që përshtatën sistemin kapitalist në ekonomi. India është demokracia më e madhe. Por asnjëherë në historinë  e saj, iniciativa  e lirë nuk ishte kaq e fuqishme sa çfarë është sot. Pra, është një detyrim për vendet e BE, është një detyrim për civilizimin perëndimor t’ia përshtatë veten këtij realiteti. Globalizimi ishte një arritje e jashtëzakonshme e civilizimit perëndimor. Tani kemi nevojë për një trem të ri reformash. Këto përcjellin vështirësi për momentin, një krize e borxheve, një krizë e euros, një krizë e lidhur gjithashtu me globalizimin. Liria është zgjidhja. Çdo gjë që BE apo bota perëndimore  e ka arritur, e ka bazuar tek liria. Dhe padyshim fuqia e jashtëzakonshme  e civilizimit tonë mbetet aty. Shumë praktika u dikuan nga perdja e hekurt dhe tani ato duhet të refuzohen, duhet të ndryshohen. Duhet të kemi një qëndrim më liberal ndaj tregut. Na duhet një qëndrim i ndryshëm ndaj politikave fiskale. Modeli ynë duhet të ndryshohet pasi ka nevojë për më shumë liri dhe unë jam i sigurt se liderët  e BE me përpjekjet e tyre do të kenë sukses. Nuk është e lehtë për shoqëritë të kuptojnë se disa sakrifica janë të domosdoshme, në mënyrë që ajo flluske e madhe që është krijuar në ekonomi të largohet. Më lejoni zoti president i DEMYC, tu shpreh se dorëheqja e zotit Silvio Berluskoni ishte një gjest fisnik, i tij pasi ai vuri interesin e qytetarëve italianë, mbi atë personal dhe gjithashtu që mbështet qeverinë e Mario Montit. Kjo krizë tregon në mënyrë të qartë diferencën mes Evropës Qendrore, Veriore dhe asaj Jugore, për sa i përket performancës ekonomike. Ndaj, reformat në Evropën Jugore po vazhdojnë. Qeveria e Spanjës, Greqisë, Portugalisë, Italisë kanë ndërmarrë masa të rrepta ndaj disiplinës fiskale. Ata kanë shumë të drejtë që kërkojnë stimuj për rritjen ekonomike. Dy ditë më parë në Romë ranë dakord për 130 bilion dollarë për të stimuluar rritjen ekonomike. Samiti i ri në Bruksel është një samit që sjell plot shpresë. Por gjithçka me të cilën Evropa po përballet sot dhe kjo është një mrekulli, po përpiqet ta zgjidhë me një dialog shumë të hapur, të sinqertë dhe miqësor. 70 vjet më parë, vendet përplaseshin me njëri-tjetrin, por sot kjo nuk ndodh për shkak të BE. Kjo është një arsye shumë  e fortë për ju dhe për të gjithë evropianët për të mbështetur idealin e BE. Dhe tani le të kthehemi tek Shqipëria. Asnjë vend në Evropë nuk ka pasur një të kaluar më të vështirë se sa Shqipëria. 20 vjet më parë, Shqipëria ishte vendi i dytë në botë, më i varfër, pas Angolës, me një GDB për frymë prej 204 $. Asnjë luftë nuk kishte shkatërruar më shumë një vend, se sa sistemi komunist shkatërroi Shqipërinë. A mund ta imagjinoni të dashur miq, se kur unë isha president i vendit, më duhej të lëvizja nëpër botë me një pagë prej 16 $ në muaj. Kolegët  e mi kishin një pagë prej 400-600 dollarësh në muaj. Shqipëria kishte mijëra bunkerë të shtrirë në të gjithë gjatësinë  e saj gjeografike. Ndërsa sot, Shqipëria është një vend i zhvilluar, një vend i cili lë pas vendet me të ardhura të ulëta, duke u renditur përkrah vendeve me të ardhura të mesme, të larta. Shqipëria, aktualisht nga vendi më i kolektivizuar i planetit, është vendi në të cilin mbi 84  për qind e GDP vjen nga sektori privat. Shqipëria, në censusin e fundit që u bë në vjeshtën që kaloi dëshmoi disa të dhëna shumë interesante. Ne rast se vitin 2001 rezulton se shqiptarët kishin banesa për frymë, më pak se çdo komb evropian ne vitin ‘80, në vitin 2011, censusi tregoi se shqiptarët kishin ndërtuar më shumë se çdo komb tjetër evropian në 30 vite të mara së bashku, përveç lituanezëve. Shqiptarët, sipas këtij regjistrimi afërsisht gjysma e familjeve ne Shqipëri, kanë më shumë se një banesë. Shqiptarët lënë pas në banesa për 1 mijë banore, 5 kombe anëtare të të BE dhe OECD. Shqipëria 20 vjet më parë kishte disa tregues të zhvillimit njerëzor ndër më katastrofalet në planet. Shqipëria këtë vit ka të njëjtin tregues me vendet e zhvilluara, për vdekshmërinë foshnjore. Sipas organizatës rajonale të shëndetësisë për Evropën, mortaliteti infantil është 8 për 1 mijë. Vdekshmëria e nenave në lindje është ndër më të ulëtat, 8 për 100 mijë lindje. Vdekshmëria totale e të rriturve në tërësi e shqiptarëve është ndër më të ulëtat se në të gjitha vendet e tjera ish komuniste dhe e afër me Portugalinë dhe Finlandën. Për sa i përket zhvillimeve të tjera: Në vitin 2005 Shqipëria kishte 12 studentë për 1 mijë banorë. Mesatarja evropiane ishte 42 studentë për 1 mijë banorë. Sot Shqipëria ka 49 studentë për 1 mijë banorë. Në vitin 2005 Shqipëria kishte treguesin më të ulët të përdorimit të internetit në botë 4.8  për qind dhe një nga shkallët  e ulëta të përdorimit të telefonisë celulare prej 38  për qind. Shqipëria dixhitale ishte objektivi ynë. Shqipëria sot ka një tregues të përdorimit të internetit prej 60  për qind, ka një penetrim të telefonisë celulare prej 180  për qind. Ne shtrimë internetin në të gjitha shkollat. Ne u bëmë vendi i parë në botë me prokurime elektronike 100  për qind. Ne jemi i vetmi vend me koncesione elektronike 100  për qind. Gjatë këtyre muajve ne do të vendosim që blerjet e vogla të jenë dixhitale. Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë dhe do të vazhdojmë ta shtrijmë në çdo klasë. Ne jemi një komb i ri dhe ky është një avantazh i madh, një privilegj i madh. Në se ju shihni statistikat e Facebook, shqiptarët lënë pas shumë kombe evropianë në përdorimin e tij, dhe arsyeja e kësaj është numri i madh i të rinjve. Për të lehtësuar përdorimin e internetit, ne japim internet falas në të 510 zyrat e postës në vend dhe po përgatisim një paketë të re me 1200 zyra të reja në të gjithë vendin, në mënyrë që të rinjtë të përdorin internetin falas. Shumë shpejt shqiptarët do të kenë internet me bandë super të gjerë. Ne kemi dhjetëfishuar numrin e studenteve në universitete në degët që lidhen me ICT, i japim shumë rëndësi inovacionit dhe kemi disa rezultate të para shumë inkurajuese. Një javë më parë u inaugurua një sistem i programuar tërësisht nga një i ri shqiptar dhe ky është sistemi i dixhitalizmit të noterisë shqiptare. Lidhja e tij me sistemin e regjistrimit të pasurive lehtëson shumë shërbimin për qytetarët. Kryetari i bashkisë së Tiranës po përcakton një zonë për të ngritur një park të teknologjisë së lartë për Tiranën. Kemi shumë për të bërë për Shqipërinë dixhitale, por kam kënaqësinë tu informoj se janë 120 projekte në vazhdim, të cilat do të kompletohen gjatë këtij viti dhe gjysmës së parë të viti që vjen. Gjëja më e çmuar që ka njeriu pas lirisë, është koha dhe ne po përpiqemi ti japim qytetarëve shqiptarë kohën. Të njëjtën gjë po bëjmë edhe me transportin. Ju garantoj se ky vend ka pasur infrastrukturën më të prapambetur, jo vetëm në Evropë, por edhe në shumë vende të tjera. Në vitin 2005, Shqipëria në rrjetin e saj rrugor prej 18 mijë km , ka pasur të asfaltuar vetëm 2430 km. Ne kemi asfaltuar ndërtuar dhe rindërtuar mbi 10 mijë km, nga 2005 e deri më sot. Ne jemi angazhuar në ndërtimin e një sistemi rrugor që do tu bëjë të mundur qytetarëve,turistëve dhe vizitorëve që nga çdo skaj i vendit të arrijnë në Tiranë, duke kursyer së paku 70  për qind të kohës. Sërish, qytetarët shqiptarë në zona të tëra vuajnë për transport. Unë dje isha  në një zonë të thellë të një rrethi, i cili ka qenë mjaft i izoluar. Atje inauguruam një HEC. Pata një kënaqësi të madhe, sigurisht, por pata dhe një kënaqësi të madhe sepse po kaloja në një rrugë që po ndërtohej. Ne kudo po ndërtojmë rrugë dhe ky është një operacion shumë i kushtueshëm, por brenda dy viteve ne  e kompletojmë atë. Shqipëria është një vend mahnitës me bukuritë e saj. Kur ju fluturoni me avion, unë ju këshilloj që në minutat e para të hidhni sytë nga mali dhe deti. Ju  do të konstatoni se ky vend është një Zvicër me det, por sigurisht një Zvicër për tu ndërtuar dhe e vërteta është që shqiptarët po e ndërtojnë atë. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, ka një nga brigjet më të bukura të Mesdheut, por malet e saj janë të virgjëra dhe mahnitëse. Nga 300 mijë turistë dhe vizitorë që ka pritur vendi në vitin 2004, vitin e kaluar Shqipëria priti 4 milion turistë dhe vizitorë. Dhe unë ju garantoj se potenciali i saj është shumë më i madh. Brigjet tona janë për tu ndërtuar. 92  për qind e tyre janë të lira. Malet tona janë të virgjëra. Ne po vendosim një sistem fiskal të tillë, që investitorët që do të investojnë në zonat malore do të përjashtohen për tetë vjet nga taksat. Shqipëria është e pasur në ujëra, është një lloj Norvegjie në Ballkan, ka për të ndërtuar 443 HE-e dhe unë ju them ju se një nga arritjet më të mëdha të jetës sime dhe më mahnitëse ka qenë gara për ndërtimin e HEC-ve. Në vitin 2007 unë thirra në zyrën time një grup zyrtarësh dhe ekspertësh, shtrova para tyre problemin se si ka mundësi që një vend kaq i pasur në ujëra, ti derdhi ato në det, pa vlerë. Nuk kishte asnjë ndërtim në HEC. Ne miratuam një ligj të ri dhe të shkëlqyer në koncesione, i cili në vetvete ndez garën. Nga viti 2007 e deri tani, qeveria ka firmosur me sektorin privat 114 kontrata për ndërtimin e 327 HEC-ve. Nga këto 46 kanë përfunduar, 100 janë në ndërtim, të tjera presin financime dhe investitorë, por në Shqipëri punojnë dhe operojnë kompanitë më të mëdha të Evropës, Statkraft e Norvegjisë që është numër 1 në HEC në Evropë, Verbund, EVN, kompani nga të gjitha vendet. Ajo që është e veçante dhe më gëzon është se deri tani në HEC e ndërtuara kostoja ka qenë gjysma  e asaj që është  e përllogaritur në mënyrë klasike. Normalisht 1 megavat energji ujore kushton dy milion dollarë. Në fakt deri tani kostoja është jo më pak se 1 apo 1,2 milion dollarë. Pra ne po bëjmë gjithçka që të shndërrohemi në një superfuqi të vogël rajonale të energjisë së rinovueshme në rajon. Kompani serioze italiane, suedeze, gjermane, amerikane janë të interesuara në energjinë eolike. Ne kemi licencuar deri tani 3200 megavat energji eolike. Ne jemi një nga vendet me më shumë ditë me diell, në Evropë dhe favorizojmë energjinë diellore. Unë ju them ju se këto janë disa arritje. Unë ju them se si evropianë të rinj, çdo gjë ne  e kemi arritur duke respektuar lirinë. Kam shumë kënaqësi tu informoj se në Shqipëri administrata publike është një nga 10 administratat më të vogla në botë në proporcion me popullatën. Qeveria shqiptare është një nga 10 qeveritë më dorëshkurtra në raport me biznesin. Ne kemi taksën e sheshtë 10  për qind, kontributin e sigurimeve shoqërore për sipërmarrësin 15  për qind . Çdo njeri mund të regjistrojë biznesin në qendrat  e regjistrimit të tij, për disa minuta me një euro. Ne kemi një Qendër Kombëtare të Licencave dhe Lejeve dhe pasi hoqëm dy të tretat e të gjithë licencave dhe lejeve u shërben biznesit dhe studimi tregon se ajo funksionon shumë mirë. Shqipëria është një vend shumë i pasur në minerale, ka rezerva botërore të kromit, hekur-nikelit, hekurit, bakrit, tani së fundi platin dhe flori. Shqipëria  fushën më të madhe në naftës në kontinent. Ka një interes të madh për hidrokarburet në Shqipëri. Shqipëria do të jetë një nga vendet në të cilat kalon gazsjellësi i parë kaspik i Evropës. Këto janë disa nga arritjet e saj, por vështirësitë janë serioze dhe rrugën nuk e kemi bulevard. E kemi të përpjetë dhe me lodhje. Në të gjithë fushat ne duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha për të arritur vendet e zhvilluara. Projekti kryesor i vendit është anëtarësimi në BE. Ky proces duhet të jetë tërësisht i merituar. Ky është interesi i qytetarëve shqiptarë. Ne kemi një problem politik të brendshëm. Pas zgjedhjeve të vitit 2009, kryetari i opozitës, i cili ditën pas zgjedhjeve e konsideroi ditën e zgjedhjeve, si një ditë historike, pasi nuk mori rezultatin që priste deklaroi se nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve, se nuk njeh parlamentin. Të dashur miq, ju mund tu duket çudi, por sistemi ynë elektoral ka metodën më të saktë në botë të numërimit të votave. Dhe këtë ma kanë konfirmuar ekspertë të OSBE-së. Si politikanë të rinj, unë do të ndalem t’jua shpjegoj shkurtimisht. Gjatë numërimit, çdo i pranishëm qoftë komisioner, qoftë vëzhgues ka të drejtën e vetos, që do të thotë në rast se kutia  e votimit i duket ndonjërit prej tyre se nuk është e paprekur, ai ngre dorën dhe kutia vendoset mënjane si kuti e kundërshtuar dhe shqyrtohet si ankesë. Në qoftë se një fletë votimi vlerësohet nga të gjithë si e vlefshme, por  vetëm njëri nga të gjithë ngre dorën, ajo futet ne një zarf të veçantë, si fletë  e kundërshtuar dhe shqyrtohet nga komisioni i shqyrtimit të ankesave. Të gjitha fletët e votimit që miratohen unanimisht, pasi vlerësohen me sy, vendosen në një skaner, projektohen në mur, lexohen në një ekran dhe transmetohen ne kohë reale në Komisionin Qendror te Zgjedhjeve. Ajo që kundërshtohet këtu, ndjek rrugën e kundërshtimit, por, i gjithë materiali tjetër është unanim. Kështu që pasi u shqyrtuan materialet e kundërshtuara, Kryetari i opozitës kërkoi që të shqyrtohen ato që ishin unanime. Gjykata i tha se aty, ku nuk ka prova dhe kundërshtira nuk mund të ketë gjykim. Të njëjtën gjë i thanë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët konkluduan se nuk ka prova për përpjekje për manipulim rezultati apo parregullsi në numërim. Ky ishte konkluzioni. Pavarësisht nga kjo, për dy vjet rresht ai nuk votonte në parlament ose qëndronte jashtë parlamentit. Organizoi mbi 1000 protesta, organizoi protesta të dhunshme. Pati përpjekje shumë të mëdha ndërkombëtare që ta ndërgjegjësonin se nuk mund të vazhdohej në këtë mënyrë dhe në fund unë u detyrova që tu them miqve tanë se këtë çështje do ta zgjidhin shqiptarët. Erdhën zgjedhjet lokale dhe ai mendoi se duke bllokuar proceset e integrimit, duke mos votuar reformat për statusin, shqiptarët do të fajësonin qeverinë. Në këtë kontekst, nuk votoi asnjërën prej reformave të kërkuara në Brukseli, të cilat kërkojnë tre të pestat. Në zgjedhjet lokale, opozita mori 12  për qind të votave më pak se mazhoranca. Zotëria humbi bashkinë  e Tiranës. Pas kësaj deklaroi se nuk do të bllokojë më votimet. Por ata vazhdojnë të bllokojnë. Punojnë sa punojnë së bashku në Parlament dhe në momente kyçe bllokojnë. Unë do tu jap ju një shembull. Janë shqyrtuar rekomandimet e ODIHR dhe OSBE-së. Opozita kërkoi që ata të propozojnë dhe ne të shqyrtojmë. Ne pranuam. Prej 4 muajsh ata sjellin propozime dhe ne nuk bëjmë propozime, por së bashku me ODIHR shqyrtojmë. Tani përplasen me ODIHR, sepse zotëria  e tij është një tip shumë obsesiv. Në vitin 2009 ai akuzoi komisionerët e tij se i kishte korruptuar Berisha. Dhe tani vuan nga komisionerofobia. Absolutisht nuk ka paraqitur qoftë dhe një fakt të vetëm se një nga komisionerët e tij ishte i korruptuar, nga 22 mijë komisionerë që ka pasur në qendrat  e votimit dhe ne proces dhe tani kërkon që i gjithë numërimi të jetë elektronik. Ne pranojmë, por ODIHR thotë se kjo duhet të zbatohet në mënyrë graduale. Sipas ODIHR, një praktikë e tillë për Shqipërinë kërkon 2 vjet e gjysmë përgatitje dhe ushtrime sepse në numërimin e fundit në Londër u konstatuan dy gjëra së pari “bllokimi i makinës”, pasi ju e dini që vapa ndikon shumë në sistemet elektronike. Në Londër temperatura është të paktën 5-6 gradë më e ulët se në Tiranë dhe megjithatë makineritë u bllokuan, por ata janë londinezë. Në rast se një bllokim i tillë ndodh këtu, kryetari i opozitës kundërshton të gjithë zgjedhjet. Ndaj dhe ODIHR thotë se do të filloni me një studim pilot, por ai nuk e pranon dhe bllokon. Kërkoi të shtymë afatin e komisionit. Ne  e pranuam, përsëri bllokoi, dje bojkotoi komisionin. Nuk është antieuropian, por mendon se duke bllokuar do të mund të fitojë kapital politik, nuk nxjerr mësim. Ne nuk heqim dorë nga konsensusi, ky është qëndrimi ynë, ne jemi të gatshëm të ofrojmë konsensusin, por ky zotëri konsensusin e kupton bllokim. Do tu jap një shembull tjetre, ne kaluam në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Tre raundet e para kërkojnë 84 vota, të cilat duhet të jenë nga mazhoranca dhe opozita dhe çfarë bëmë ne si mazhorancë. Ne zgjodhëm një gjykatës me reputacion të shkëlqyer në Shqipëri, një akademik i cili kishte bërë doktoratën në një Institut prestigjioz në Gjermani, një ish ambasador tonin, njeri që 20 vjet i shërben kombit dhe vendit të tij. Por ai e refuzoi me pretekstin se përse nuk ja thamë paraprakisht se cili do të ishte. Ne donim t’ia thoshim, por ai nuk pranoi ta merrte emrin. Herën tjetre ne shkuam me 4 emra dhe ai përsëri refuzoi. Vetë nuk propozonte asnjë emër dhe refuzonte çdo emër që i paraqitej. Ne zgjodhëm si president Republike një nga personalitetet më serioze , me integritet më të lartë, i cili për çudinë tuaj dhe timen ishte i vetmi personalitet i mazhorancës, i cili ishte lavdëruar nga kryetari i opozitës dy muaj më parë. Kështu Kryetari i opozitës ende po bllokon, ende vazhdon politikën e bllokimit. Unë asnjëherë nuk e kam bërë përgjegjës të birin për të atin, por të dashur miq, ky zotëri solli në krye të PS të gjithë bijtë  e kupolës së byrosë politike gjatë sistemit komunist. Në rregull, ata mund të kenë principe socialdemokrate, por faktet tregojnë se ata nuk po bëjnë asgjë, përveçse po bllokojnë dhe vetëm bllokojmë. Kjo është shumë e trishtë. Ata kundërshtojnë çdo gjë dhe unë mbetem i bindur se ky është një problem që duhet të zgjidhet nga shqiptarët. Duhet të jemi të hapur për dialog dhe konsensus me ta. Unë kurrë nuk lodhem së zbatuari këto principe, por pa lëshuar principet tona thelbësore. Duke konkluduar, ju them se integrimi evropian është projekti i madh për Shqipërinë. Pavarësisht vështirësive që ky projekt kaq i madh paraqet, ky është një projekt ëndërr për të gjithë shqiptarët dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta merituar. Unë i jam shumë mirënjohës zotit Silvio Berluskoni dhe partisë së tij, të gjithë partive të qendrës së djathë të Evropës, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë Shqipërisë, shqiptarëve dhe Partisë demokratike dhe unë ju siguroj ju se ne do të mbetemi të përkushtuar ndaj vlerave dhe principeve që ndajmë së bashku. Në qoftë se Shqipëria ka arritur këtë performancë është prej këtyre principeve. Ndaj dhe njëherë ju falënderoj që zgjodhët Shqipërinë. * Fjala e Kryeministrit Sali Berisha, e mbajtur gjatë takimit me të rinjtë e Qendrës së Djathtë Evropiane (DEMYC)

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›