E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një "Mozaik në hapësirë"

"E bukura është e thjeshtë dhe e vështirë", nisur nga kjo thënie, skulptori Eduart Karaj ka nisur rrugëtimin e tij kreativ që ka frymëzuar edhe ekspozitën e titulluar "Mozaik në hapësirë". Veprat e ekspozuara në galerinë "Kledio" janë ndërtuar duke përdorur elementë të thjeshtë gjeometrikë si katrori, rrethi, apo copa të vogla peçiklasi. Këto tablo synojnë të ndërtojnë një raport të mozaikut në marrëdhënie me ngjyrën dhe hapësirën, duke qëndruar larg formave tradicionale. Ai ka preferuar të sjellë një gjuhë të thjeshtë dhe meditative, duke lënë mënjane figurat apo temat e caktuara, duke hequr kufijtë dhe krijuar një sfumaturë, një ngjyrë që del nga telajo. Gjuha vizuale e Eduart Karajt është e kursyer. Ai flet më pak, me një gjuhë kromatike të përmbajtur, por jo të varfër. Është e vështirë të krijosh më pak dhe të kërkosh më pak, por kjo është sfida krijuese e zgjedhur prej tij. Eduart Karaj ka kryer studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë në degën skulpturë qeramike, me profesorët Niko Thana dhe Sadik Spahia. Ekspozitën e parë personale me titull "Nga skulptura në pikturë" e ka hapur në Galerinë e Akademisë, në vitin 2005. Më pas, ka marrë pjesë në ekspozitën kolektive me titull "Balkan Bridges", me pjesëmarrjen e artistëve nga vende të Ballkanit. Në tetor 2008, merr pjesë në konkursin për të rinj "Hapësirë 1", i organizuar nga galeria e arteve "Edward Lear" në Berat, ku një punim në skulpturë "Portret" përzgjidhet për fondin e përhershëm të galerisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›