E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adalgisa, dhjetë vite më pas

Kanë kaluar dhjetë vjet që kur sopranoja Shpresa Beka interpretoi për herë të parë personazhin e Adalgisa-s në operën "Norma" të kompozitorit Vincenzo Bellini. Edhe një herë i është kthyer këtij roli. Të shtunën, më datën 7 shkurt, ajo do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit nën lëkurën e murgeshës së dashuruar. Për sopranon, emocionet janë njësoj të mëdha. Premiera absolute e vitit 1999, po pason një tjetër premierë. Kësaj here do të vijë ndryshe. Nëse dhjetë vite më parë interpretoi një murgeshë klasike, kësaj here sopranoja do të ngjitet në skenë për të sjellë Adalgisa-n sipas konceptit regjisorial të italianit Nicola Zorzi. Ai ka preferuar të ndërtojë këtë personazh ndryshe. Murgesha e re do të jetë më aktive në skenë, do të shfaqet më energjike e do të jetë më e dukshme. E nëse para dhjetë vitesh, Shpresa Beka ka interpretuar në krahë të Mariana Lekës (Norma), kësaj here do të jetë përkrah sopranos Etleva Golemi, së cilës i është besuar roli i Normas.

Për herë të dytë, pas dhjetë vitesh, do të ngjiteni në skenë për të interpretuar një personazh të cilin e njihni mirë tashmë, Adalgisa në operën "Norma". Si e përshkruani këtë murgeshë?

Adalgisa është një personazh shumë i bukur, mbi të gjitha mjaft interesant. Ajo është një murgeshë e re, mikeshë me Normën, e cila është kryepriftëresha e një kuvendi. Ndodh që Adalgisa, ndërsa ishte duke kryer lutjet, njihet me Pollione-n, një luftëtar roman me të cilin bie në dashuri. Këtë ndjenjë ajo e provon për herë të parë, pasi është murgeshë dhe ia ka besuar veten e saj Zotit. Gjendja e saj shpirtërore është shumë e dyzuar. Gjysma e saj ndihet pranë Zotit e gjysma tjetër i përket dashurisë, Pollione-s. Adalgisa i tregon Norma-s që është e dashuruar, kjo e fundit, nga ana e saj e mirëkupton sepse edhe vetë e ka provuar këtë ndjenjë, por askush nuk e di. Ndërsa bisedojnë, zbulojnë që të dyja dashurojnë të njëjtin person.

Çfarë do të veçonit nga ky rol?

Është një rol shumë i këndshëm, ka duete të bukura ndër të cilat do të veçoja duetin e saj me Pollione-n, gjatë të cilit Adalgisa i shpreh dashurinë atij. Ndodh në këto momente që ajo vendos ta braktisë dashurinë hyjnore dhe t‘i kushtohet asaj humane. Po kaq i bukur është edhe dueti me Normën, ku ajo i tregon sekretin e saj. Roli që interpretoj është i bukur edhe për faktin se ka ndryshime të herëpashershme edhe sa i përket anës shpirtërore.

Çfarë kujtoni nga interpretimi juaj i parë, në vitin 1999.

Në atë kohë, regjisor ka qenë Saverio Capozzi. Ndryshe ka qenë interpretimi i atëhershëm, ndryshe është ky me të cilin publiku do të njihet në premierën e së shtunës. Nicola Zorzi e ka sjellë "Norma"-n me ide të reja, mjaft interesante. Kur e kam interpretuar këtë personazh në vitin ‘99, regjisori Saverio Capozzi donte që Adalgisa të vinte si një murgeshë e mirëfilltë, nuk dëshironte që ajo të dilte përtej kufijve që i ofronte roli i saj si një vajzë që i është kushtuar Zotit. Ndërsa regjisori me të cilin po punojmë tani, dëshiron që Adalgisa të jetë më vitale, të jetë ndryshe. Ai kërkon më shumë lojë edhe gjatë skenave, dueteve apo arieve që kemi. Dëshiron më shumë lëvizje, ndërsa kur e kemi kënduar për herë të parë, ajo ka qenë më shumë statike, pra e kemi interpretuar në mënyrë më klasike. Nicola nuk e dëshiron Adalgisa-n shumë murgeshë. Mua më pëlqen dhe është bukur kështu kur të njëjtin rol e sjell ndryshe. Më duket sikur e interpretoj për herë të parë. Koncepti regjisorial i Nicola-s është shumë interesant, po ashtu edhe ndryshimet skenike. Ndihem mirë.

A ndiheni e përgatitur për këtë rol? A është entuziazmi i njëjtë si ai i dhjetë viteve më parë?

Të them të drejtën e kam pritur me shumë dëshirë, sepse është vërtet një rol i bukur si nga ana skenike, por edhe sa i përket anës vokale. E them këtë sepse është një rol që mua më përshtatet shumë edhe vokalisht, e kam kënduar dhe e këndoj me kënaqësi, sepse "Norma" është një opera shumë e bukur dhe e fuqishme. Jam e bindur që publiku do ta presë shumë mirë.

Për operën "Norma", ashtu si edhe për të tjera vënie në skenë, ka sërish bashkëpunim me artistë të huaj. Si i vlerësoni këto bashkëpunime?

Kam pasur fatin, duke nisur nga roli im i parë të interpretoj në krahë të artistëve të huaj, duke nisur nga partnerët në skenë, regjisorët, dirigjentët etj. Të tilla bashkëpunime i shikoj si një kënaqësi më vete, sepse ne solistët shqiptarë e ëndërrojmë dhe kemi shumë dëshirë që, sikurse vijnë ata e ngjiten në skenën tonë, të kemi mundësi të provojmë këtë përvojë edhe ne. Por duke qenë se është e vështirë disi të ndodhë kjo, atëherë i vlerësoj këto bashkëpunime si mësime më vete, si një përvojë e vlefshme sa i përket anës profesionale. Për mua, ajo çka është më e rëndësishmja, është fakti se prej tyre kam marrë gjithnjë vlerësime shumë të mira. Pra, ëndrrën për të kënduar në skena jashtë Shqipërisë, për momentin nuk e arrij dot, kështu që i vlerësoj këto bashkëpunime si shumë të rëndësishme.

Çfarë ndjesish përjetoni ndërsa interpretoni në skenën e madhe të Teatrit të Operës?

Sa herë që shkel në të, provoj e ndiej emocione të reja. Është shumë bukur. Vetëm kur hyn në skenë, madhështia që ajo mbart, është e papërshkrueshme.

Gjithnjë keni dashur të jeni soprano?

Po, kam filluar të këndoj që fëmijë. Duke qenë se kisha të dhëna, kur isha fëmijë më kanë dalluar për zërin, për vokalin e bukur e të veçantë, që është një e dhënë e domosdoshme për një këngëtar. Kështu vazhdova studimet në Liceun Artistik e më pas edhe në Akademinë e Arteve. Zëri është shumë i rëndësishëm, sepse gjithë kjo skenë e madhe duhet mbushur me zërin tënd.

E quani veten me fat që jeni soliste?

Sigurisht, nuk e përjashtoj fatin, por them se jam këtu prej punës sistematike dhe përkushtimit të madh. Kam studiuar shumë. Edhe pse e vogël, më kujtohet që kisha ambicie të mëdha për veten. Mendoj se puna ime më ka shpërblyer. Puna, këmbëngulja dhe talenti janë bërë të tria bashkë e për këtë arsye jam këtu sot. Studente, kam qenë në kurs me tenorin Josif Gjipali. Nga gjithë ata studentë, vetëm ne të dy fituam konkursin dhe u pranuam si solistë në TOB. Para se të vija këtu, kam qenë fituese e dy çmimeve. Fitova vendin e parë në konkursin e Zërave të Rinj Lirik dhe më vonë, në edicionin e parë konkursit operistik "Marie Kraja", u vlerësova me vendin e tretë.

A mendoni se keni arritur aty ku keni dashur?

Pa diskutim, por them se ambiciet e mia sa vijnë e shtohen. Gjithnjë ka ndodhur kështu. Me zgjedhjet që kam bërë sa i përket roleve them se kam guxuar. Kam interpretuar role të vështira, role që kërkojnë një teknikë shumë të lartë vokale. Këto zgjedhje kanë ardhur gjithnjë duke e rritur gradën e vështirësisë. Kam arritur deri diku, por kam ende shumë role të cilati synoj. I tillë është edhe Tosca, të cilën e kam përgatitur dhe është një prej roleve që dëshiroj të arrij.

Pas interpretimit në operën "Norma", cili do të jetë angazhimi i ardhshëm?

Për këtë sezon, jam pjesë e "Normës" me rolin e Adalgisa-s, ndërsa në muajin maj do të interpretoj në premierën e "Falstafit" në rolin e Aliçes. Ndërsa sezonin që vjen nuk e di, por shpresoj të jem pjesë e "Salome"-s së Shtrausit. Për këtë rol do të filloj të studioj menjëherë pas premierës së majit. Nëse e gjej veten vokalisht në këtë rol, do ta këndoj me shumë dëshirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›