Një Shqipëri pa nuanca

DW: Pse shkon një i ri gjerman një vend komunist, në Shqipërinë e vitit 1990?
Gerard Saitner: Rënia e murit, që kishte ndodhur një vit më parë në Gjermani nuk kishte mbërritur ende në Shqipëri, kur dikush më këshilloi që të shkoja Shqipëri. Të them të drejtën nuk kisha asnjë ide se çfarë më priste. Kërkova të mësoja më shumë për Shqipërinë, dhe mësova për DAFG (Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Gjermani). Asokohe në Shqipëri mund të shkohej vetëm po të udhëtohej në grup, nëpërmjet DAFG, të cilën gjë e bëra dhe unë. I bëra dy udhëtime, në shtator 11 ditë, dhe në tetor 13 ditë. Kur mbërrita për herë të parë në Tiranë, fotografia ime e parë ishte në ‘duty free shop’. Një fotografi kjo shumë e bukur, përmes së cilës e kuptova se "atje prezantohen shumë gjëra, që në fakt nuk janë të pranishme". Kjo, parimisht, ishte përshtypja ime e parë.
DW: Ç'përshtypje ju bëri Shqipëria?
Gerard Saitner: E pashë që në Tiranë nuk kishte vetura. Njerëzit i ngisnin ose i tërhiqnin biçikletat. Ne shkuam në një zyrë udhëtimesh, në hotel Tirana, dhe bëmë një udhëtim nëpër jugun e Shqipërisë; në Elbasan, Gjirokastër, Butrint, Korçë e Vlorë. Shumë shpejt m'u krijua përshtypja se shumica e njerëzve me të cilët udhëtonim -22 veta - ishin komunistë të vjetër. M'u desh të ndahesha nga grupi për të bërë fotografitë e mia, atëherë kur njerëzit e grupit shkuan për vizitë në një muze, ose në Kombinatin e Elbasanit. Atëherë, dola në rrugë dhe me një kamerë të formatit të mesëm i bëra fotografitë e mia. Por, ajo që vëreja ishte se isha nën vëzhgim dhe ndiqesha. Më vonë e kuptova se edhe drejtuesit e grupit ishin njerëz të sigurimit.
DW: Keni qenë ndonjëherë tjetër në Shqipëri?
Gerard Saitner: Në udhëtimin e dytë arrita të njihesha me fotografin Piro Naçe, dhe me gazetarin Fatos Maliqi, të cilët më kanë ndihmuar në vitin 1991 dhe në atë 1992. Rrugëtimi i tretë dhe i katërt u bënë pasi që e mora çmimin "Otto Steiner". Mora një bursë, dhe kur shkova e vërejta se tashmë edhe atje kishte ndryshuar çdo gjë. Tani, pa plot 18 vitesh, shkoj përsëri në Shqipëri.
DW: Çfarë ju ka mbetur në mendje nga Shqipëria?
Gerard Saitner: Ajo që dua ta theksoj është se nuk i kam njohur njerëzit e aparatit shtetëror, por i kam njohur njerëzit e zakonshëm. Unë nuk kam fotografuar në Shqipëri për të treguar sa e varfër ishte Shqipëria, por për shkak se doja të bëja punime dokumentare artistike – prandaj edhe e përdora formatin 6x7. Kam shkuar sërish, për të bërë fotografi me ngjyra. Ngjyrat në një vend mesdhetar janë të pranishme, kështu që fotografitë funksionuan edhe me ngjyra, me përjashtim të disa prej tyre. Megjithatë, vendosa që edhe fotografitë e zmadhuara t'i bëja bardhë e zi. Titulli i veprës ishte "Shqipëria, vend pa nuanca". Deri më sot shumë pak njerëz e dinë, dhe shumë pak e kanë kuptuar. Fotografitë janë të tilla, ato mezi shiten.Ndryshe, Shqipëria është një vend, i cili më ka pëlqyer shumë. Ajo që më ka interesuar ishte ‘hapësira, dhe hapësira në kohë’. Më ka interesuar ajo që është prezente në moment, ajo që dikur zhduket e nuk ekziston më. Pas Shqipërisë kam fotografuar edhe në Kinë, Laos, Burma, Vietnam. Edhe atje kam fotografuar të njëjtën gjë - komunizmin.