Një "akrep i kuq" për Genti Tavanxhiun
Skulptori shqiptar, Genti Tavanxhiu, merr pjesë në ekspozitën Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, që do të zhvillohet në 12 shtator në Sulmone të Italisë. Në edicionin e 36-të të këtij konkursi, artisti shqiptar merr pjesë me një vepër në gur, të titulluar "Antares". Skulptura flet me një gjuhë të re në stilistikë. Një ndër elementet që e karakterizon është përzgjedhja e gurit. Ai është një material jo i zakonshëm. Bëhet fjalë për mermer të kuq që vjen nga Afrika e Veriut, i cili të kujton ngjyrën e yllit Antares në zemrën e kostelacionit të Akrepit. Ai quhet Alfha Scorpi. Për shkak të ngjyrës së tij të kuqe, ylli ka qenë objekt kulti, duke kultivuar një sërë mitesh e legjendash në popujt antikë të Mesdheut. Në veçanti është përdorur nga qytetërimi i lashtë i Egjiptit. Një risi tjetër në punën e Genti Tavanxhiut është edhe dinamizmi që skulptura paraqet nëpërmjet formave gjeometrike, duke hedhur një sy drejt origjinës dhe fatit. Zhdërvjelltësia e formave, trajtimet e ndryshme të sipërfaqeve, zbulojnë teknikat e gdhendjes, procesin e metamorfozës graduale. Materia në mënyrë progresive shndërrohet dhe drejtohet në një hapësirë qiellore si një udhëtim në kohë. Vepra është një tregues i mirë se si mënyra e të shprehurit nëpërmjet artit të skulpturës ka evoluar te Tavanxhiu. Ekspozita do të mbyllet më 3 tetor.