Një akt tradhtie në ndihmë të një regjimi antikombëtar
Agron Gani/ Departamenti i Historisë
(vijon nga dje)
- Largimi i Mileranit (vitet 1898 - 1899) dhe shokëve të tij, ndikoi në pastrimin e Partisë Socialiste franceze nga bashkudhëtarët e përkohshëm, të cilët e kishin parë pjesëmarrjen e tyre në parti si rrugën më të lehtë dhe më të sigurt për të bërë karrierë dhe për të arritur synimet e tyre të vogla. Por ndërsa Partia Socialiste pas largimit të renegatëve nxori mësime, republikanët filluan të ndjejnë rrjedhojat negative të kalimit të deputetëve socialistë në radhët e tyre... Sa i përket tre deputetëve socialistë francezë që kaluan ylberin, karriera e tyre politike vazhdoi sa kohë që mbeti në pushtet partia së cilës i shërbyen. Kalimi i Islamit, Kadelit dhe Dogjanit në prehrin e Berishës mundësoi padyshim kapërcimin e përkohshëm të krizës që shkaktoi në kampin e demokratëve e largimi i papritur i partisë së Ilir metës. Veçse duhet theksuar se ky oksigjen nuk mund të zgjasë shumë. Nëse veprimi i socialistëve francezë i mbajti republikanët e moderuar në pushtet edhe tre vjet të tjerë, ndihma e renegatëve shqiptarë vlen për një periudhë të shkurtër tre mujore. Për më shumë, kalimi i tyre në anën e demokratëve, i dëmton ata në masë të madhe, pasi humb identitetin e partisë së tyre. Masa e saj e ka pritur keq përfshirjen në listën e sigurt të deputetëve socialistë, pasi kjo shihet si një rrëshqitje drejt të majtës. Kjo përforcohet nga fakti se Sali Berisha ka qenë pjesë e nomenklaturës së vjetër komuniste e po kthehet në origjinë. Si kundërpërgjigje, njerëz të njohur për kontributet e tyre, janë larguar në mënyrë demonstrative nga PD-ja. Por afrimi i socialistëve ka shkaktuar pakënaqësi edhe në radhët e drejtuesve të partisë në pushtet, pasi një pjesë e tyre janë spostuar në vende të pasigurta në listën e kandidatëve për deputetë. Zhgënjim kanë shprehur edhe disa krerë të partive aleate që u sakrifikuan nga Berisha për t’i bërë vend ish-socialistëve. Kështu kryetari i partisë Balli Kombëtar i bëri thirrje elektoratit ballist që të mos votojë partinë e Kaç Islamit. Së fundi, duhet theksuar se ky dhe dy shokët e tij kanë humbur shumë nga reputacioni i tyre në masën e gjerë të popullit shqiptar. Ata po hyjnë në histori si tradhtarë të çështjes kombëtare derisa mbajtën në këmbë një regjim antipopullor e antikombëtar. Edhe ky parlament do të përmendet si “Parlamenti i tre renegatëve”. E zgjeruar në www.shekulli.com.al