E Shtunë, 31 Tetor 2026

Standardet e “Phenianit të Europës”

Dr.Skënder Demaliaj

-Mund të thuhet që tani se zgjedhjet e 23 qershorit nuk janë të lira e të ndershme ... e nuk kanë për t’u realizuar standardet e kërkuara si vend i NATO-s e si vend që aspirojmë për t’u bërë pjesë e BE-së. Nuk janë të lira se pushteti i Sali Berishës po ushtron dhunë verbale e fizike mbi qytetarët e saj. Nëpunësve të administratës u bëhet presion për t’u atashuar pranë qendrave elektorale të partisë në pushtet ( PD-së), për të votuar bashkë me familjet e tyre për PD-në, për të punuar e për të siguruar 10 deri në 50 vota të tjera për PD-në. Në të kundërt, largohen nga puna (janë me qindra raste të pushimit nga puna këto ditë në të katër anët e Shqipërisë).

Sipas psikologjisë së partisë shtet në pushtet, të gjithë ata që marrin rrogë në shtet duhet të votojnë vetëm për partinë në pushtet edhe pse ata paguhen me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Kur ka miting në Tiranë kryetari i bashkisë merr gjithë administratën me vete dhe e çon për të duartrokitur dhe brohoritur për Sali Berishën (në fakt puna në bashki ka kohë që është paralizuar pasi ajo është e gjitha në fushatë për partinë e Lulit). Kryetari i zgjedhur me vota të vjedhura harroi premtimin se do të ishte në shërbim të qytetarëve e vetëm qytetarëve, larg politikës e sherreve politike... Kur ka miting në Durrës ministri i Drejtësisë merr me vete të gjithë ata që punojnë në këtë sektor nga e gjithë Shqipëria. Kështu edhe ministri Bode në Korçë, Imami në Elbasan, Olldashi në Fier, Ruli në Gjirokastër, Bumçi në Lezhë, Tafaj në Tiranë e në Kamëz, Halim Kosova në Tiranën e Re, Flamur Noka në Kukës, bile ky i fundit ka çuar edhe 200 policë nga zonat e Veriut për të punuar për PD-në, duke iu paguar dieta të majme dhe rrogën 100%. Nuk janë të lira zgjedhjet e 23 qershorit se mediat e lira janë nën terrorin psikologjik të pushtetit e nga kontrollet tendencioze, represive, shoqëruar me gjoba të majme për ato që nuk punojnë nën urdhrat e Sali Berishës. Nuk janë të lira, se mediat e blera nga Sali Berisha po sponsorizohen nga pushteti i tij, pra me lekët e taksapaguesve shqiptarë.

Nuk janë të lira, se vendosja e flamujve dhe e banderolave nga opozita, veçanërisht në Tiranë është mollë e ndaluar; Tirana ngjan me kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenianin. Nuk janë të lira, se çdo ditë po dhunohen zyrat elektorale të opozitës, po rrihen barbarisht e për vdekje kandidatët për deputet të opozitës (rasti në Roskovec me Mit’hat Hoxhën), për të cilin policia nuk dihet se me çfarë urdhri i ka ndërprerë hetimet lidhur me këtë rast. Gjithashtu po kërcënohen e po rrihen drejtues lokalë të PS-së. Nuk janë të lira, se policia, Shërbimi Informativ po përgjojnë opozitën, në shërbim të pushtetit të Sali Berishës. Nuk janë të lira se presidenti po bën çdo ditë dekorime për votat e PD-së, po mban fjalime e po jep konferenca shtypi në mbështetje të PD-së, për t’i shlyer borxhin, se është pikërisht kjo parti që i siguroi atij kolltukun presidencial. Deklaratat e tij për heqjen e vizave me SHBA-në, për probleme që lidhen me çështjen kombëtare, shkarkimi i gjeneralëve të ushtrisë, heshtja e tij para krimeve elektorale të pushtetit të Berishës, duke zvarritur proceset hetimore e ndëshkimin e keqbërësve nga gjykatat– e vërtetojnë më së miri këtë.

Nuk janë të lira, se KQZ-ja po vepron si një celulë e PD-së në vendimmarrjet e saj, në kundërshtim me ligjin. Nuk janë të ndershme, se PD-ja po përdor të gjitha lekët e taksapaguesve shqiptarë për fushatën e saj. Kryeministri, ministrat, nëpunësit e administratës publike nuk kanë të drejtë të bëjnë mitingje në orarin e punës, nuk kanë të drejtë të largohen nga zyra për punët e partisë. Pasdite të bëjnë çfarë të duan. Në qoftë se duan të punojnë për PD-në për fushatën elektorale të saj të japin dorëheqje e në vend të tyre të shkojnë të tjerë që rrinë në zyrë gjatë orarit të punës, mësuesit, mjekët, nxënësit nuk kanë të drejtë të lënë punën e të shkojnë në mitingjet e PD-së. Forcat e ushtrisë janë në shkelje të ligjit me punët që po bëjnë në Elbasan në urdhrat e ministrit të mbrojtjes për llogari të votave të PD-së. Nuk janë të ndershme kur me lekët e taksapaguesve shqiptarë paguhet Podesta, për imazhin dhe votat e PD-së e jo për interesat e qytetarëve shqiptarë (lobingu nuk është për ta, por për PD-në dhe Sali Berishën). Nuk janë të ndershme, kur përurimet kryeministri po i përdor për fushatë elektorale (në këto prerje shiritash për herë të tretë e të katërt.... valëviten vetëm flamujt blu).

Nuk janë të ndershme, kur RTSH është në shërbim vetëm të pushtetit të Sali Berishës. Nuk janë të ndershme, përderisa Fazlliç e pronarë të tjerë të kompanive të mëdha, oborrtarë e klientë të qeverisë po derdhin miliarda lekë për blerjen e votave për llogari të PD-së, me qëllim që ta tjetërsojnë këtë pushtet nga i cili fitojnë miliarda lekë të paligjshme për veten e tyre. Nuk janë të ndershme, përderisa po shpërndahen nga pushtetarët ushqime, miell e lekë për shtresat në nevojë dhe për romët, për të blerë votat. Nuk janë të ndershme, përderisa po mashtrohen çdo ditë pensionistët, të persekutuarit, pronarët, të përmbyturit nga uji me çeqe bosh. Nuk janë të ndershme, përderisa qytetarët po mashtrohen për punësim, për rritje të mirëqenies, për vizat në Amerikë, kur dihet se për tetë vjet ky pushtet e ka patur gjithë kohën e domosdoshme për t’i realizuar këto premtime. Ja pse është fitore e madhe largimi i këtij pushteti të kriminalizuar dhe të korruptuar, më 23 qershor kjo është fitorja e parë e madhe e shqiptarëve pas 22 vjetësh pluralizëm. Fitorja e dytë është: pushtetarët e rinj, PS-ja me aleatët e saj kurrë, kurrë, kurrë më të mos punojë e të veprojë, siç po vepron pushteti i Sali Berishës me zgjedhjet. Natyrshëm lind pyetja: a janë zgjedhje të lira e të ndershme këto?! A janë të barabartë në këto zgjedhje pushteti i Sali Berishës me opozitën?!

Janë arsyet që theksuam më sipër të arrijmë në përfundimin se në zgjedhjet e 23 qershorit nuk janë përballë Aleanca e Djathtë me Aleancën e Majtë, PDja me PS-në, por opozita me pushtetin e kriminalizuar e të korruptuar të Sali Berishës. Zgjedhjet janë në rrezik dhe kjo do të ketë kosto të lartë politike dhe financiare, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin në rast se nuk do t’i ndalet dora e vjedhjeve dhe e grabitjes së votave pushtetit të Sali Berishës. Jam i habitur, por edhe i tronditur si intelektual dhe qytetar i këtij vendi kur kjo situatë e rëndë parazgjedhore kalohet thjesht me një fjali në deklaratat e ndërkombëtarëve dhe kur sheh indiferencën e prokurorisë për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që po dhunojnë ligjin e zgjedhjeve, të gjithë ata pushtetarë që po dhunojnë e po gjakosin opozitën vetëm e vetëm për të mos lëshuar karrigen e kryeministrit të sotëm Sali Berisha.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›