Investimet e huaja, 25 % më pak në 2011
Të huajt po investojnë më pak në Shqipëri. Kjo është ajo çka mësohet nga raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë e investimeve të huaja gjatë tre mujorit të tretë të vitit të shkuar. Referuar të dhënave të BSH-së, mësohet se gjatë periudhës korrik-shtator 2011, në vend janë investuar rreth 166.4 milionë euro (rreth 222 milionë dollarë). Kjo shifër, është 32.8 për qind më e vogël krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahas kësaj, Banka e Shqipërisë raporton se volumi i investimeve të huaja gjatë gjithë nëntë mujorit të vitit të shkuar ka qenë 25.6 për qind më i vogël krahasuar me nëntë mujorin e vitit 2010. Investimet e huaja direkte neto në tremujorin e tretë të vitit 2011, rezultuan 166.4 milionë euro ose rreth 32.8 për qind më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ato përfaqësuan rreth 7 për qind të PBB-së nominale. Në terma kumulativë, Investimet e Huaja Direkte neto për nëntëmujorin e parë të vitit 2011 rezultuan rreth 25.6 për qind më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, – shpjegon Banka e Shqipërisë në Analizën e Zhvillimeve të Sektorit të Jashtëm për tre mujorin e tretë 2011.
Ulja e investimeve të huaja gjatë vitit 2011 vjen pas një ecurie tepër pozitive në 2010-n, përgjatë të cilit në Shqipëria u investuan 1.1 miliardë dollarë nga jashtë. Investimet e huaja patën një rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2007 duke shënuar një volum prej 647 milionë dollarë me një rritje prej 106 për qind krahasuar me vitin paraardhës. Rritja vijoi edhe në vitin 2008, por me ritme më të ulta për shkak të pështjellimeve financiare që pësuan ekonomitë perëndimore. Investimet e huaja në këtë vit ishin 888 milionë dollarë. Viti 2009, u karakterizua nga një rritje minimale të tyre, me vetëm 6 për qind, ndërsa në vitin 2010 rritja vijoi me 18 për qind. Viti 2011 ndërkohë ishte ai gjatë të cilit flukset e jashtme pësuan ulje duke shënuar rreth 820 milionë dollarë. Vlen për tu theksuar fakti se pjesa dërrmuese e investimeve të huaja kanë të bëjnë me privatizimin e pronës publike apo me koncesionet, të cilat kulmin e tyre e patën gjatë periudhës 2007-2009. Tashmë, nga sektorët strategjike ka mbetur pa privatizuar Albpetroli, INSIGU si edhe aksionet e shtetit tek Albtelekom. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha deklaroi dje se qeveria do të vijojë me thellimin e procesit të privatizimeve.
Bëhet shqiptar kush investon 100 mijë euro
Kryeministri Berisha publikoi pak javë më parë nismën e qeverisë për ti dhënë automatikisht shtetësinë shqiptare të gjithë atyre të huajve që investonin 100 mijë euro në Shqipëri. Nisma vjen pikërisht në periudhën kur vendi po përballet me ulje të investimeve të huaja nisur nga problemet që po përballen vendet e Bashkimit Evropian por edhe pengesave që mbart vendi ynë. Të tilla janë problemet me pronat por edhe infrastruktura.
Investimet e huaja
2006 314 mln USD
2007 647 mln USD
2008 888 mln USD
2009 942 mln USD
2010 1.1 mld USD
