E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një alarm që paralajmëron katastrofën

Share

Reagim i Lëvizjes Mjaft mbi vendimin e fundit te Komisioni Europian për mosdhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Fakti që Shqipërisë iu refuzua statusi i vendit kandidat në Bashkimin Europian, mund të mos përbëjë çudi për shumicën e shqiptarëve. Diçka e tillë nuk çudit askënd sepse ky është vendi që konsiderohet më i korruptuari në Ballkanin Perëndimor; vendi ku vetëm gjysmë viti më parë, katër të pafajshëm u ekzekutuan në bulevardin kryesor të kryeqytetit; dhe vendi ku megjithëse janë bërë tre vjet që nga gjemimi që fshiu nga faqja e dheut një fshat të tërë duke vrarë 26 qytetarë e duke plagosur qindra, ende askush nuk është shpallur fajtor.

Nuk përbën çudi mosrealizimi i këtij premtimi të gënjeshtërt të qeverisë shqiptare për statusin kandidat, kur kjo e fundit gjatë viteve e muajve të fundit është angazhuar në një sërë skandalesh e aferash korruptive, duke përfshirë edhe filmime e vetëfilmime të neveritshme personash në nivel zëvendëskryeministrash e ministrash, e që tani po tentohet të shpallen të gënjeshtërta përmes ekspertizash shkencore me karakter baritor.

Nuk mundet që ne të marrim statusin e vendit kandidat në BE kur institucionet publike zbrazen nga administrata sa herë ndryshohet kahu i peshores politike e pastaj, janë sërish ambasadorët e vendeve të BE-së që reagojnë të tronditur nga marifete të tilla. Asnjë lloj statusi të respektuar nuk mund të arrijë një vend ku gjyqtarët hidhen në erë sepse tentojnë të garantojnë pronën e familjes së vet, e pastaj duhet dhe të reflektojnë për gjykimet në çështjet mes palëve të treta. E kjo ndodh në një kohë që sistemi i drejtësisë konsiderohet ndër sektorët më të korruptuar të vendit më të korruptuar në rajon, ku hipotekimi i një gjykatësi kushton diçka rreth 100 mijë euro.

E si mundet një vend të pretendojë ti afrohet Europës, kur asnjëherë të vetme, në një histori prej 20 vjetësh, nuk ka arritur të garantojë qoftë edhe një proces të vetëm zgjedhor që të mos jetë i pervertuar nga manipulimi, kanosja, rrahja, blerja e votës dhe shantazhi familjar. Dhe në këtë kontekst, një vend ku qytetarët, sipas Kryeministrit, protestojnë me stilolapsa-pistoletë dhe çadra të helmatisura, nuk mundet veçse të jetë pjesë përrallash fantastiko-shkencore e jo e Bashkimit Europian. E si mundet edhe të guxohet integrimi europian kur, po sipas Kryeministrit, Presidenti i Republikës, Prokurorja e Përgjithshme dhe kreu i shërbimeve sekrete radhiten në bandën e puçistëve, ndryshe rrugaçët dhe laviret e trotuareve.

Dhe në një kohë kur po tentojmë me të gjitha mënyrat të shndërrohemi në kolektorin e gjirizeve të mafies europiane, si mundet vallë të shpresojmë që Europa, këtë këllirë ta qasë brenda shtëpisë së saj? Një vend gangsterësh, të fortësh, kriminelësh të veshur me petk politik e parlamentar të të gjitha krahëve që rrahin gazetarë, gjobisin mediat, dhe tentojnë ti vënë flakën çdo institutucioni ende të pavarur, nuk mundet të renditet veçse ndër shembujt më të shëmtuar të historisë bashkëkohore të këtij planeti.

Dhe si mendoni, për çlloj klasifikimi kualifikohet një vend, ku televizioni publik është institucioni më i konservuar që nga vdekja e kriminelit Enver Hoxha bastioni më i madh i ligjshëm i propagandës, dezinformimit dhe prostitucionit politik në Ballkanin Perëndimor, për të cilin qytetarët detyrohen me dhunë të paguajnë çdo vit?

Dhe po, jemi vendi ku gjobëvënia, vrasjet mafioze dhe videot amatore me pornografi politike janë bërë sport kombëtar. Dhe sërish jemi po ne, të njëjtët, që çuditërisht ndihemi europianë.

Por, nuk është ky problemi. Nuk është problem statusi. Problem është fakti që të gjitha këto dinamika çnjerëzore nuk përbëjnë më çudi. Problemi i vërtetë ka të bëjë me atë që në një farë pike-kthesë të historisë së tij, ky popull humbi vetëdijen e të pasurit të drejta njerëzore, dhe të vetë të qenurit njerëzor. Dhe për sa kohë që të qenurit njeri është pafundësisht më e rëndësishme se të qenurit europianë, amerikanë, arabë, shqiptarë, e çfarëdolloj gjëje tjetër, problemi i vërtetë është aq i madh sa çdokujt mund ti mungojë kuraja ta shqiptojë.

Refuzimi i statusit është një tjetër ndër shumë dështime që me sukses kemi realizuar. Nuk përbën as çudi, as lajm. Por është një kambanë alarmi. Dhe alarmet e përsëritura, thuajse kurdoherë, paralajmërojnë katastrofën.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›