E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pseudonacionalizmi dhe preokupimet serbe për “krahinën jugore”

13-10-2011 / Nga Imer Mushkolaj (Express)

A mund ta paramendoni Hashim Thaçin zëvendëskryeministër dhe ministër të Brendshëm të Serbisë, ndërkaq Ramush Haradinajn ministër të Mbrojtjes, të po të njëjtit shtet? Këtë pyetje e ka shtruar në një intervistë lideri socialdemokrat nga Vojvodina, Nenad Canak, teksa ka folur për Kosovën dhe Serbinë. Duke dashur të tregojë se si do të dukej Serbia, po që se Kosova do të mbetej në kuadër të saj, Canak po ashtu ua ka sjellë ndërmend serbëve se si me rreth 20 për qind shqiptarë brenda Serbisë, tabelat e rrugëve në Beograd do të ishin të shkruara në dy gjuhë, shqip e serbisht, ndërkaq ka pyetur edhe se çfarë ka bërë Serbia “për ta ruajtur Kosovën” që nga viti 1999 deri në shpalljen e pavarësisë. Canak, i njohur si luftëtar i madh për autonominë e Vojvodinës, hyn në radhën e politikanëve të paktë që nuk ngurron të kritikojë të ashtuquajturit patriotë serbë, për të cilët shprehet se e duan shtetin dhe kombin, ashtu siç pedofilët i duan fëmijët. Sipas tij, gjithë muhabeti rreth Kosovës në Beograd bëhet për kusuritje politike, ndërkohë që situata në terren është krejt tjetërfare. Pas liderit liberal Cedomir Jovanovic dhe qëndrimit të tij tashmë të njohur pro pavarësisë së Kosovës, Canak duket të jetë edhe një zë i arsyes në Serbinë e kontaminuar nga pseudonacionalizmi. Megjithatë, sikurse Jovanoviç e Canak nuk (duan të) mendojnë politikanë të tjerë. Ata vazhdojnë të fitojnë poenë politikë me deklarata patetike për “krahinën jugore serbe”. Por, ç’ndjenja kanë serbët në Serbi sot për Kosovën dhe sa preokupohen ata me këtë çështje?
* * *
Shumica e serbëve në Serbi sot dinë shumë pak për Kosovën - jashtë propagandës së politikës dhe mediave. Ka nga ata që ende mendojnë se po të udhëtojnë në Prishtinë, psh. do t’i vrasë dikush. Në fakt, ata merren me Kosovën vetëm po t’i pyesë dikush, përndryshe kanë preokupime tjera. Ballafaqohen me probleme ekonomike e sociale dhe aq iu bën për “krahinën jugore”. Madje, po të pyeteshin ata, Serbia as që do të shpenzonte qindra milionë euro për diçka tashmë të humbur. Më mirë do të ishte të hapen vende të reja pune dhe të përmirësohet standardi i jetesës. Një koleg imi nga Beogradi beson se edhe po të vendoste sot Beogradi që ta njihte pavarësinë e Kosovës, serbët nuk do të reagonin fare, ose do të reagonin grupe të papërfillshme njerëzish. E besueshme kjo, duke pasur parasysh edhe reagimet e deritashme të qytetarëve në Serbi, pas ngjarjeve kur mendohej se ata nuk do të qëndronin indiferentë. Pasi Kosova shpalli pavarësinë pati reagime, por jo në atë masë sa të shqetësohej dikush. Asgjë nuk ndodhi as pas dorëzimit në Hagë të Radovan Karadzicit e Ratko Mladiçit. Duket se serbët janë vetëdijesuar tashmë se nuk ia vlen të merren me Kosovën, ndonëse në prag fushatash zgjedhore zgjohen apetitet për mbledhje votash dhe Kosova del sërish në skenë. Kështu pritet të jetë edhe vitin e ardhshëm, kur qytetarët do t’iu drejtohen kutive të votimit. Boris Tadic dhe Partia Demokratike e kanë gjithnjë e më të vështirë të qeverisin edhe një mandat, ndërkohë që “përparimtarët” e Tomislav Nikolicit besojnë se më në fund do të marrin pushtetin. Në kuloare gazetarësh e analistësh politikë në Beograd flitet se nuk ka shumë shpresë për “opsionin Tadiç” dhe se ai pritet të mos kandidojë më, shkaku i problemeve shëndetësore. Pasues të tij tash për tash konsiderohen kryebashkiaku i Beogradit, Dragan Djilas, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike, Bojan Pajtic, kryetar i Qeverisë së Vojvodinës dhe Dragan Sutanovic, ministër aktual i Mbrojtjes. Në gjithë këtë paqartësi për të ardhmen politike të Serbisë, një gjë është e sigurt: nga qasja e Beogradit ndaj Kosovës, varet edhe rruga e Serbisë drejt integrimeve europiane. Por, edhe perspektiva e vetë qytetarëve të Serbisë. Sa më gjatë që Kosova do t’i qëndrojë Serbisë si gur në qafë, aq më keq.
* * *
Po të mos ishin ngjarjet në Veri të Kosovës dhe ndërprerja e dialogut me Prishtinën, Serbia do të mund të merrte jo vetëm rekomandimin nga Komisioni Europian për statusin e vendit kandidat për BE, por mbase edhe datën e fillimit të negociatave për anëtarësim. Ndonëse është përpjekur të jetë kooperativ në dialog, ngjarjet e fundit në Veri i kanë dhënë goditje të rëndë Beogradit. Ka ndër politikanë serbë që çështjen e Veriut përveç që politike, e shohin edhe çështje të sundimit të rendit e ligjit. Të Serbisë, natyrisht. Ministri Dragan Sutanovac ka thënë se nuk beson të ketë qytetar në Serbi i cili paguan tatim dhe që përkrah idenë që në Kosovë, nga Serbia, pa paguar tatim të shkojnë pesë herë më shumë derivate nafte, sesa iu nevojiten qytetarëve të Veriut. “Sot patriotizmi matet me litra derivatesh dhe miliona eurosh”, është shprehur ai. Tash kur në Serbi kanë filluar ethet e zgjedhjeve, politikanët duhet të premtojnë diçka më shumë se mbajtjen e Kosovës si pjesë të shtetit serb. Qytetarët e rëndomtë nuk kanë nevojë për retorikë boshe, ashtu siç qytetarët e Kosovës janë ngopur me parullën se për gjithçka të keqe që ndodh, fajin e ka Serbia. Dueli politik Prishtinë-Beograd do të vazhdojë, por kjo nuk don të thotë assesi se duhet harruar njerëzit dhe përmirësimin e jetës së tyre. Nga Beogradi, Prishtina nuk duhet të shihet si “edhe një qytet i Serbisë”, ashtu siç nga Prishtina, Beogradi s’bën të konsiderohet maja e të gjitha të këqijave. Ekzistojnë gjëra tjera shumë më të rëndësishme se retorika politike. Ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, megjithatë, jetohet.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›