E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sikur dje të kishim marrë ftesën!

Share

Nga Mero Baze

Po shikoja Sali Berishën në parlament. Mjaftoi një ndërhyrje nga vendi e deputetit Tahiri, pa u marrë vesh nga askush çfarë ishte, dhe kryeministri shpërtheu. Në fillim ju trashën damarët e gjakut në qafë, u egërsua në fytyrë, ngriti gishtin tregues si kërcënim, mblodhi vetullat duke parë me egërsi a thua do ta shqyente deputetin e ri të opozitës, dhe përsëriti kërcënimin e tij proverbial se do ta bëj fytyrën të zezë si këpuca. Pastaj rrëshqiti fare dhe filloi ti thoshte se e njeh qysh nga fëmijëria dhe e di çka bërë gjithë jetën… Këtu u duk sikur gjeti qetësi dhe e përsëriti plot 4 herë. Totalisht i çmendur, por kjo tani po pranohet si fatalitet. Ajo që më bëri përshtypje është se kërcënimi i tij për ta bërë fytyrën të zezë si këpuca, është i përsëritur. Më parë në të njëjtën mënyrë ka kërcënuar dhe deputetin Taulant Balla. Çfarë është ky kërcënim aspak popullor si frazeologji dhe përse i ka ngelë në mendje këtij njeriu ky imazh?

Kam pyetur dhe herë tjetër veten apo miq të tij, përse këtij njeriu i është fiksuar që kundërshtarin e do të mundur me fytyrë të zeza si këpuca. Përfytyrimi i tij nuk është thjesht një kundërshtar i vdekur. Një kundërshtar i vdekur, normalisht është i zbehtë në fytyrë, maksimumi i verdhë, por dikush që ka vdekur normalisht mund të jetë dhe i buzëqeshur apo me sy hapur.  Përfytyrimi i Berishës për mënyrën se si e do të vdekur kundërshtarin është shumë makabër. Ai përveçse e do të vdekur, e do të nxirë në fytyrë, të nxirë si këpuca… i vetmi përfytyrim që atij i vjen në mendje për të ilustruar ngjyrën e zezë. Kam pyetur mjekë apo ekspertë të psikanalizës, për këtë dëshirë të fshehur të një njeriu, pa ju cituar se është dëshirë e Sali Berishës dhe të gjithë të përshkruajnë një vrasës potencial të sëmurë psikik që kërkon ti torturojë viktimat para se ti vrasë. Veprimet e tij i mbisundon dëshira për ta parë viktimën më fytyrë të nxirë pa jetë, të torturuar dhe poshtëruar deri në fund. Shpjegimet më tej janë të vështira dhe duhet të përfshish në vizitë klinike personin në fjalë, por përfundimet e përgjithshme kanë të bëjnë me një personalitet të dyfishtë shkaktuar nga trauma të fëmijërisë së tij që nga vrasje ose inceste deri tek paranoja të ngjashme për hakmarrje ndaj tij. Është interesant se pacienti në fjalë, Sali Berisha, në të dy rastet që ka përdorur këtë përfytyrim makabër për dy deputetë të rinj, u ka përmendur atyre fëmijërinë dhe familjarë, çka shpjegon qartë se objektet që kanë sendërtuar përfytyrimin e kalcifikuar në tru të Berishës, janë familjarët, fëmijëria, trauma, dhe egërsia me të cilën përfytyron hakmarrjen. Është klinikisht i çmendur. Mos tregoni që është kryeministri ynë dhe çojeni në klinikën më modeste të botës dhe ai del i sëmurë. Këtu mbyllet ky problem, por rihapet problemi i fatit tonë politik dhe kombëtar.

Mendoni për një moment sikur dje Komisioni Evropian të kish mbyllur sytë ndaj standardeve afrikane të demokracisë shqiptare dhe të kish dhënë dritën jeshile për të marrë ftesën e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian dhe sot fjalimin e Sali Berishës ambasadori Sekui apo zyra e tij tia kishte përkthyer Komisionerit Fyle. Përfytyroni kabllogramin e ambasadës amerikane drejt Uashingtonit dhe vështirësia për të gjetur në anglisht kuptimin e fjalës ta bëj fytyrën të zezë si këpuca, apo konotacionin negativ të fjalës legen. Por, mbi vështirësitë e përkthimit, përfytyroni duart në kokë që do të vinin në Bruksel për vendin dhe qeverinë, të cilës i kishin thënë Mirëserdhe në Evropë. Harrojeni 12 kushtet, harrojeni standardet e demokracisë, harrojini problemet që kemi me strukturimin e ekonomisë dhe vlerat e shoqërisë në tërësi, por mbani parasysh që kryeministri ynë e shikon opozitën me sytë e një vrasësi të sëmurë psikik. Kryeministri ynë shikon ëndrra me opozitarë të rrahur deri në vdekje, me fytyrë të nxirë, me motra kurva, me mama të përdala, që ky ua njeh të gjitha dhe që ia di secilit biografinë qysh kur ka lindur deri më sot.

Hakërrimat e tij haluçinante dhe egërsia me të cilën kërkon me forma ekstreme të vdekjes kundërshtarët e vet, flasin për një njeri vërtet të pafuqishëm, që mendon se mund të ringrihet në këmbë duke frikësuar kundërshtarët, duke u kujtuar se mund ti vrasë si gjakatar. Ky është kryeministri ynë. Ky është njeriu që thotë se jo për faj të tij, por për faj tonë, për faj të shqiptarëve  që janë njerëz normalë, Evropa nuk na pranon në gjirin e saj. Meqë sot është 100 vjetori i Migjenit, më lejoni ta perifrazoj duke ju lutur: Merreni këtë tribunë parlamenti dhe çojeni në Bruksel! Merrni atë pamje të egërsuar bishe ndaj opozitës dhe përkthejuani perëndimorëve! Le ta shikojnë atë zoti Fyle, Baronesha Ashton, zoti Barroso dhe gjithë njerëzit që drejtojnë Evropën. Merreni dhe na thoni kush është fajtor në këtë vend. Sikur dje të kishim marrë ftesën, sot Evropa do njihte të parin tonë, dhe do tia bënim vërtet fytyrën Shqipërisë të zezë si këpuca, siç e ka qejf kryeministri ynë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›