Të gjesh Majkëll Xheksonin në ShqipëriNga RJ Eskow, “Huffington Post”Kjo është një histori e shkurtër për Majkëll Xheksonin për t’u vendosur në majë, një histori që ilustron fuqinë dhe përmasat globale të muzikës pop. Shqipëria jetoi në një izolim
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Të gjesh Majkëll Xheksonin në ShqipëriNga RJ Eskow, “Huffington Post”Kjo është një histori e shkurtër për Majkëll Xheksonin për t’u vendosur në majë, një histori që ilustron fuqinë dhe përmasat globale të muzikës pop.
Shqipëria jetoi në një izolim total prej gjithë pjesës tjetër të Evropës për katër dekada. U nda nga Bashkimi Sovjetik, kur Hrushovi nisi reformat e destalinizimit të vendit, për shkak se diktatori i saj, Enver Hoxha, pëlqente stalinizmin. I vetmi aleat në këtë pikë ishte Kina maoiste, por dhe një marrëveshje mes tyre u prish pas rënies së Grupit të Katërshes dhe vdekjes së Maos. Atje ishte ilegale dhe po të kishe një makinë tënden.
Ashtu si Koreja e Jugut sot, Shqipëria ishte një vend i mbyllur që nuk lejonte pothuajse asnjë të huaj. Madje, dhe të dëgjoje mediet e huaja ishte krim. Mbërrita atje në vitin 1991 si pjesë e valës së parë të një grupi konsultuesish që ishin dërguar për të ndihmuar reformat. Njerëzit kishin nisur të improvizonin makina duke vendosur dritare në pjesën e parme të traktorëve.
Disa arabë kishin vendosur tashmë një altoparlant dhe një muezin në një xhami lokale, që kishte më shumë se 40 vite që nuk përdorej.
Edhe pse qeveria më dërgoi që të ndihmoja me financime në fushën e shëndetësisë, shumë shpejt e kisha të qartë se ata kishin nevojë për ushqim dhe medikamente mjekësorë shumë më tepër se sa kishin nevojë për ristrukturim ekonomik.
Shoqëruesi dhe përkthyesi im ishte një farmacist i sjellshëm dhe i dashur, që kishte mësuar anglisht duke dëgjuar në fshehtësi BBC. Ai ishte spiunuar nga një komshi, që e kishte përgjuar, kur dëgjonte radion në anglisht, dhe kishte kaluar një ditë të tmerrshme në zyrat e policisë sekrete, përpara se të lirohej me një paralajmërim. Një ditë përpara se të largohesha për në shtëpi, e pyeta se çfarë mund t’i dërgoja për dhuratë.
“Këngët e Connie Francis”, - më tha. (Për të gjithë ata që nuk e kujtojnë, Connie Francis ishte një yll i periudhës para Beatles që ka kënduar “Lipstick On Your Collar” dhe “Where the Boys Are”).
Gjurmët e muzikës pop mund të gjendeshin dhe në raste të tjera në këtë vend të fortifikuar.
Kur hymë në një nga “restorantet” e vetme në Tiranë - një garazh i përshtatur me tavolina dhe karrige që mezi mbaheshin në këmbë, e me të huaj që vinin për të ndihmuar nga e gjithë bota - zëri i Garth Brooks dilte nga një boks.
E gjatë një takimi të nivelit të lartë diplomatik, disa shqiptarë tregonin për një këngëtar shumë të njohur të vendit të tyre, duke thënë se përdorimi publik i anglishtes ishte aq shumë i ndaluar, sa ai ishte dënuar me dy vite burg, për shkak se kishte kënduar “Let it Be” në një festival popullor.
“Njeriu i fundit që kam dëgjuar duke e kënduar këtë këngë në vendin tim, meritonte pesë vite burg”, - u thashë. Ata qeshën - për fat të mirë.
E ndërsa shkuam të shohim disa klinika të largëta në Malet e Sharrit, makina jonë u ndalua në fshatrat e izoluara nga turma kurioze për të parë nga afër një perëndimor.
Në një rrugë të mbushur me gurë, na përshëndeti një grup adoleshentësh, pak të frikshëm, me fytyra të pista e me gurë në duar. Kur më panë, djali më i gjatë ndër ta, sigurisht lideri - futi duart në xhep, nxori një dorashkë të vetme dhe e veshi. Hodhi mbrapa me një lëvizje bishtin e flokëve që i ndodhej mbi ballë, në një mënyrë siç bëjnë të gjithë djelmoshat e fortë kudo. Më pas pati një moment heshtjeje. Më pas…
“Majkëll Xhekson!” bërtitën ata. “Majkëll Xhekson!”. Ata vazhdonin të flisnin, ndërsa doktori më përkthente. “Ata duan të dinë, nëse ti e njeh personalisht Majkëllin”, - më tha ai. Në fakt, nuk e njihja. Na lanë të kalojmë.
Nuk dua të pretendoj se Majkëll Xhekson rrëzoi komunizmin në Shqipëri. Ai nuk e ka takuar kurrë Enver Hoxhën në një betejë epike, edhe pse fotografia në kopertinën e albumit “History” duket sikur e ka bërë një gjë të tillë.
Isha në Pragë, kur Václav Havel u përpoq ta bënte Frank Zappan ministër në qeverinë e tij, por nuk mund të them gjithashtu që muzika pop ka rrëzuar komunizmin atje.
A ishte Majkëll Xhekson i pari popstar në gjithë globin?
Turmat në Indi vajtonin vdekjen e mjeshtrit të muzikës country, Jim Reeves, në vitin 1964. Dhe m’u desh pak që të kuptoja se një këngëtar në një këngë të vjetër afrikane të quajtur Chimaraja, shoqëruar vetëm nga një kitarë e shpenguar e dikush që godiste një kuti Coca-Cola, po këndonte për Jimmie Rodgers, njeriun e muzikës country.
Jimmie Rodgers vdiq në vitin 1933.
Muzika pop ka qenë gjithmonë globale. Por Majkëll Xhekson u bë i pari star në erën e komunikimeve satelitore. Njerëzit, jo vetëm e dëgjonin muzikën e tij, ata e shihnin atë. Ata e përjetonin atë - ose të paktën një aspekt të tij. Majkëll Xhekson theu barrierat e racës, gjuhës dhe kombësisë. Sjellja e tij personale kishte ndikim të madh te disa njerëz. Por muzika e tij arriti miliarda e bëri diçka të mirë në botë.