Një “antimiting” klerikësh!
Ilir Paja
-Nuk mund ta fsheh, një ndjesi jo ndoshta prej një nacionalizmi idealist, sesa një përjetim atdhetarizmi. Në edicionin e lajmeve të së dielës në Top Chanel, në rubrikën “Vitrina e librit” shkrimtari dhe përkthyesi Nasi Lera prezantoi romanin e tij të fundit me titull “Të gjallë dhe të vdekur”. Një roman, që trajtonte temën më delikate, më komplekse, por dhe më antishqiptare sipas mendimit tim, atë të një, jo skandali, por të një zhvarrosjeje mbrujtur e farkëtuar duke e lëmuar urrejtjen ndaj nesh me eshtrat e Kalit të Trojës…Jo pa qëllim e nisa me letërsinë, sepse puna për Rimëkëmbjen Morale do nisur jo vetëm me historinë e dëshmitë e saj, gjithnjë e më shumë inkurajuese, por dhe me botën e letrave.
Dhe arsyeja është motiv ekzistencial, të lexosh estetikisht duke mbrojtur një padrejtësi kundrejt vendit tend; libri merr vlerën e një dëshmie epokale, ashtu siç mbetet dhe sot vepra e Kadaresë “Gjenerali”, e kjo jo për reklamë, por ashtu si Kadareja dikur trajtoi groteskun, i cili buronte nga dy sisteme kaq të pakuptueshëm ndaj njëri – tjetrit të pas L2B dhe zhvarrosjes së eshtrave të ushtrisë italiane(një rit njerëzor e jo Ringjallës), në rastin e Kosinës, ky grotesk – kriminal në një zhvarrosje etnike, na bind dhe më tepër se vendin e një prifti dhe një gjenerali e zëvendëson tani kushti i integrimit!...Kështu dhe lirimin e ish “qendrës-vatrës kulturore” nga Zyra e Përmbarimit, duke e zhvendosur selinë e kishës autoqefale diku gjetkë…sepse të besosh po të duash mund të ndërtosh dhe një katedrale Brenda Shpirtit, ky akt ligjor pra, mund të jetë pak i ndikueshëm nga vetë marrëdhëniet e vështira mes dy vendeve dhe është një frymë e re në marrëdhëniet mes dy vendeve. Duket se po bëhemi gjithnjë e më tepër më të afrueshëm me ligjin.
Nëse kemi dhe e respektojmë ligjin, ky është morali i parë i atdhetarizmës. Gjithsesi, kjo ngjarje e ndodhur mes kalimit të pushtetit në një formacion të ri qeverisës, duket sikur lë shijen e një brishtësie, që do të thotë, sikur kjo kishëzë dhe kjo vatër kulture janë në një territor asnjanës, sikur këndej lart është ende pushteti dhe tutje më poshtë është ish-opozita që do pushtetet. Mes kësaj atmosfere të quajtur politikisht “neutrale” vjen letrarshëm një roman i panegociueshëm! Një shtet që modestohet brenda një gjenerali dhe prifti…Realisht ç’farë ndodhi? U morën pajimet, orenditë e kishës në Përmet, u ngjitën në makinë dhe ashtu siç dolën banorët nga shtëpitë e ish- pronarëve, kishës atje i kërkohet një nga gjërat më të thjeshta: strehimin e institucionit të saj diku gjetkë. Por nëse për ne kjo është normale, për një kishë kaq të shtetëzuar nga dogma e helenizimit një akt gjyqësori ngrihet në shqetësimin e një gjendjeje incidenti diplomatik. Dhe akoma më rëndë, kur këtë frymë e përshkon deri në “sanksione e bllokada” diplomatike, përfaqësuesit e pakicës së minoritetit grek.
Kështu, ndoshta kjo qelë e vogël lokale, nuk i qan hallin shpërnguljes nga një vatër kulture, por humbjes së pretendimit se kjo kishë është 200 vjeçare. Nëse do na duhet të përmendim pretendimin e tyre dy shekujve, po i kujtojmë kësaj kishe, se në këta 200 vitet e fundit nisi dhe ideologjia e një mallkimi, më i lig se një pastrim etnik. Mallkim, që niste me gjuhën, gjakun, historinë, asimilimin. E janë këto 200 vite plot plaçkitje, therje, shpërngulje e tjetërsime pronash, janë shekuj, ku kisha e tyre mund të dyshonte deri tek vetë Zoti nëse lindte dhe rritej një shqiptar, e akoma më shumë, bëhej mësonjës! Sepse dhe ai kishtari i vogël i Përmetit, nuk mund të jetë njeri i Zotit, kur është i shtetit Atje! Një meshë në rrugë, nuk është një padrejtësi dhe dhimbje më shumë, sepse të gjithë njerëzit që besojnë, Krijuesin e kanë me vete, ashtu si Ne, e kemi lënë pak autoqefalinë tonë “Anës Nolit”...Dhe një ditë këtë vetmi anës lumenjve noliane ta ngremë në Bashkim!