Bazat ushtarake dhe teoritë konspirative me naftësjellësa në Ballkan
“The Economist” analizon teoritë konspirative në rajonin e Ballkanit
Thuajse të gjithë në Ballkan janë të dhënë pas teorive konsiprative, veçanërisht në njërën prej tyre, që ka të bëjë me naftësjellësit dhe bazat ushtarake. Sipas disa njerëzve me prirje kundër Serbisë dhe Rusisë, rusët janë duke komplotuar, për të krijuar një bazë ushtarake në Serbi të studiuar në mënyrë dinake. Madje, ajo mund të jetë baza e parë e Kremlinit në territorin europian që prej fundit të Traktatit të Varshavës dhe mund të duket si një përgjigje për zgjerimin e NATO-s në rajon. Thuajse çdo vend rreth e rrotull Serbisë, ose është në NATO, ose e dëshiron një gjë të tillë.
Historia e bazës ruse nisi në tetorin e vitit të kaluar, kur Dimitri Medvedev vizitoi Beogradin. Gjatë kësaj vizite është njoftuar krijimi i një qendre të përbashkët për koordinimin e emergjencave në qytetin serb të Nishit. Vendi, i cili mund të përdoret për gjithçka, por jo për aeroport, e mori emrin pas Konstandinit të Madh (Perandori romak që ka lindur atje). Institutioni partner në Rusi do të jetë Ministria e Jashtëzakonshme, një strukturë e përzier për dhënien e ndihmave në raste emergjencash dhe për aktivitete ushtarake, si dhe që ka të përfshirë edhe strukturat ruse të sigurisë. Kjo ministri, për shembull, ka luajtur rol për pastrimin e minave në një periudhë të gjatë në Serbi.
Por, dyshimet që kanë dalë për objektet në Nish mund të përdoren për spiunazh, apo mund të shërbejnë për përdorim ushtarak, sipas nevojave. Ajo çfarë është më ngacmuese në teoritë konspirative ka të bëjë me faktin se Nishi është shumë afër pikës ku është planifikuar të kalojë gjurma e gazsjellësit “South Stream”, i cili do të përshkrojë territorin serb. Gazsjellësi është një projekt i përbashkët mes gjigantit rus të gazit, Gazprom dhe kompanisë energjetike italiane Eni. Rruga përshkron Detin e Zi, dhe Rusia arriti të anashkalojë Ukrahinën, pasi shihej si një vend i mundshëm për
tranzitimin e gazit. South Stream kalon mespërmes Ballkanit, Europës Qendrore dhe Italisë.
Shefi serb i Planifikimit të Emergjencave në Ministrinë e Brendshme, Predrag Maric, refuzon zyrtarisht çdo të informacion se Rusia është duke ngritur një strukturë të fshehtë ushtarake. Ai këmbëngul, duke thënë se Nishi nuk do të jetë një bazë ushtarake, duke nxjerrë në pah se institucioni i tij dhe rusët kanë ftuar të paktën 11 vende nga rajoni në një konferencë që do të organizohet këtë muaj në Beograd për të diskutuar, secili për pjesën e tij, në krijimin e lehtësirave logjistike dhe trajnuese në Nish.
Teoritë që po qarkullojnë nëpër blogje apo burime të tjera rreth interesave ruse po rikthejnë debatet për interesat e saja gjeostrategjike në rajon. Shumë vetë besojnë se kjo ka të bëjnë me naftën, pa u shqetësuar për brutalitetit serb në Kosovë, që nisi pas bombardimeve nga NATO në Serbi, në vitin 1999 (duke përfshirë edhe aeroportin e Nishit.)
Pas luftës, amerikanët ndërtuan në Kosovë kampin e Bondstillit, një bazë me kapacitet strehimi për 7000 persona. Teoritë konspirative thonë se qëllimi real i kampit ishte ruajta e naftësjelllësit AMBO që ka për qëllim të sjellë naftën e Rusisë dhe Kaspikut përmes Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Megjithëse kanë kaluar më shumë se 16 vjet që prej lançimit për herë të parë të këtij projekti, AMBO mbeti vetëm një vijë në hartë. Bondstilli nuk ka asnjë pistë. Dhe kanë mbetur vetëm 1400 trupa amerikane në Kosovë. Numri në total i trupave paqeruajtëse të NATO-s në këtë vend, aktualisht ka rënë në 10 000 dhe është planifikuar që të reduktohet në 2300. Kampi i Bondstillit fare mirë mund të kufizohet.
Aeroporti i Nishit dhe Bondstilli janë lehtësisht të gjindshme në Google Earth. Më e vështirë është të gjesh bazën ushtarake të vërtetë, të hapur në nëntorin e kaluar nga autoritetet serbe, për të cilën, shpesh, dyshohet se është Bondstilli serb. Ajo ndodhet fare ngjitur Kosovës, në zonën e Bujanovcit, në jug të Serbisë, ku është edhe shtëpia e shumë shqiptarëve etnikë. Udhëheqësit vendorë ankohen me zë të lartë për militarizimin e zonës. Megjithatë, baza serbe mund të strehojë vetëm 1000 njerëz. “Ne nuk jemi duke fjetur gjumë”, - thotë një zyrtarë i lartë i NATO-s. Ai shton se është i bindur për praninë ruse në Nish, por është i pashqetësuar nga implikimi i tyre. Ndërkohë, Uindjet (Windjet), një kompani ajrore italiane me çmime të lira (low-cost) sapo ka nisur fluturimet drejt aeroportit të Konstandinit të Madh.
Përgatiti Albert Gjoka
Titulli është redaksional. Shkrimi është publikuar në numrin e datës 4 shkurt të revistës ekonomike britanike
6 Shkurt 2010