E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një arkitekte nga ShBA-ja për monumentet e kulturës

Gjirokastër Megjithëse kishte dëgjuar shumë pak për Shqipërinë, sërish ajo nuk ka hezituar të pranojë ftesën e organizatës “Korpusi i Paqes” për të punuar si vullnetare në Shqipëri, në lidhje me promovimin dhe konservimin e monumenteve të kulturës. 27-vjeçarja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brandie Lockett, prej disa ditësh është vendosur në qytetin e Gjirokastrës. Për dy vite rresht ajo do të punojë si vullnetare, duke u përkujdesur për objektet monument kulture jo vetëm në qytetin e gurtë por edhe në Parkun Arkeologjik të Antigonesë. “Synoj që përvojën që kam fituar në Los Angelos, ku kam punuar për 5 vjet si arkitekte dhe urbaniste dizenjatore, ta vendos në shërbim të mirëmenaxhimit të monumenteve të kulturës këtu në Gjirokastër”, thotë arkitektja nga ShBA-ja. “Jam shumë entuziaste, vijon ajo, që jam në Gjirokastër dhe do punoj për ruajtjen dhe zhvillimin e traditave të saj në arkitekturë”. Gjatë ditëve të para të qëndrimit në qytetin e gurtë ajo ka parë nga afër komplekset muzeale dhe banesat karakteristike. “Megjithëse para se të vija këtu kisha dëgjuar shumë pak për Shqipërinë dhe aq më tepër për Gjirokastrën, mund të them së jam e mrekulluar nga historia dhe arkitektura e qytetit”, shprehet ajo ndërsa ecën në kalldrëmet e gurta. Ajo veçon edhe mikpritjen dhe dashamirësinë e njerëzve që ka gjetur në Gjirokastër dhe Antigone. “Mendoj se gjatë dy viteve të mia të qëndrimit këtu do t’ia kaloj shumë mirë mes këtyre njerëzve”, thotë e reja amerikane. Brandie Lockett është vullnetarja e pestë e Korpusit të Paqes, që bëhet pjesë e iniciativave për mirëmenaxhimin e trashëgimisë kulturore në Gjirokastër.

Bledar Shehu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›