Ekspedita shqiptaro-franceze zbulon mozaikun
Fondit të veprave historike dhe kulturore në Apoloninë e lashtë i janë shtuar edhe disa zbulime të kryera nga ekspedita e përbashkët shqiptaro franceze, e cila ka nisur gërmimet e saj në këtë qytet antik. Gërmimet në seksionin”G”, e njohur ndryshe si” vila impolvium”, apo edhe “banesa me peristil”, kanë nxjerrë fillimisht në dritë një mozaik. Arkeologët e kanë gjetur atë çuditërisht nën shtresën e një rruge që përdorej për kalim të mjeteve në drejtim të fshatit Kryegjatë dhe anasjelltas. Pjesa e mozaikut është zbuluar rreth 6cm nën shtresën e kalldrëmtë të rrugës. Mozaiku i zbuluar ka qenë nën rrënjët e një peme, ndërsa ruan cilësinë dhe bukurinë e tij. Specialistë të ekspeditës kanë pohuar se pjesa e mozaikut e zbuluar është e një cilësie dhe niveli shumë të mirë dhe të lartë artistik në sipërfaqe të tij dallohen qartë punimet me gurë me motive floreale. Ai është pjesë e shembujve të mozaikëve të Durrësit apo enëve me figura të kuqe, që ndoshta, sipas arkeologëve, është përdorur në hyrje të banesave.
Jean Luc Lamboley, profesor dhe një nga bashkëdrejtuesit e kësaj ekspedite, ka pohuar se ende nuk janë të qarta limitet dhe hapësira që zë ky mozaik. Por ai ka shtuar se në ditët në vijim, pasi të zbulohet gjithë mozaiku, do të jepen edhe të dhënat e para të datimit, periudhës së cilës i përket, si dhe të dhëna të tjera të domosdoshme. “Ne falënderojmë bashkëpunëtorët tanë shqiptarë dhe sidomos edhe drejtuesit e Komunës, kryesisë së fshatit Kryegjatë dhe të Parkut Arkeologjik Apolonia që bënë të mundur bllokimin e kësaj rruge dhe krijimin e kushteve për specialistët dhe arkeologët të gërmonin në këtë pjesë rruge.
Ndërkohë që zbulimi tjetër i përket një pjese të një kapiteli. Ai është gjetur në një nga muret e zbuluara këtë vit në banesën me peristil, që i përket periudhës helenistike. Mendohet se kjo pjesë e kapitelit i përket periudhës së shekullit të katërt dhe të tretë para erës sonë. Vetë kapiteli paraqet një figurë të një vajze, figurë e cila del bukurisht nga gjethet e Ankantit. Modeli që përmban ky kapitel, që mund të ketë shërbyer si një mjet zbukurimi në ndërtesën e ndonjë shtetasi të pasur të kohës, është helenistik.
Ekspedita do të vijojë gërmimet deri në datën 10 shtator të këtij viti.
Zbulimet
Vitin e kaluar kjo ekspeditë, e cila financohet nga Ministria e Jashtme franceze dhe Instituti arkeologjik, gjatë gërmimeve të saj në banesën me peristil zbuloi statujën e një atleti si dhe kokën e një gruaje në thellësi të mureve të kësaj banese.
Në fakt shtatorja është e dëmtuar në njërën këmbë dhe është nxjerrë në sipërfaqe pa kokën dhe krahun e majtë të saj. Siç shihet dhe nga fotoja, ajo paraqet një trup pa kokë, me një veshje luftëtari, është e vendosur në një gur sikur ka pozuar për artistin që e ka bërë. Drejtori Vreka ka pohuar ndër të tjera se për këtë zbulim do të kryhen studimet përkatëse për të përcaktuar saktë periudhën së cilës ajo i përket, si dhe elemente të tjera të saj.
Bylisi, një nga qytetet më të mëdha ilire, u zhvillua në shek. IV p.e.s. si kryeqendër e fisit ilir të bylinëve. Ai kishte një sipërfaqe prej 30 ha, të rrethuar me mur, të mbrojtur nga 7 hyrje e 7 kulla. Në shek. III p.e.s. qyteti u fuqizua ekonomikisht, kohë kur ndërtohet agoraja (qendra e qytetit) prej 4ha, ku ngrihet teatri me rreth 9 000 vende, stadiumi, gjimnazi etj. Në shek. I e.s. Bylisi u kthye në koloni romake. Në shek. IV të e.s. qyteti rrethohet me mure të fuqishme dhe më pas në shek. V-VI u bë një qendër e rëndësishme peshkopale. Për këtë flet zbulimi i gjashtë bazilikave, dyshemetë e të cilave janë shtruar me mozaikë me motive paleokristiane të një cilësie të lartë.