E Diel, 1 Nëntor 2026

Një betejë që nuk i toleron gabimet

Petro Koçi

-Situata politike në vend kërkon që opozita të funksionojë në kohezion të plotë dhe me rendiment të lartë elektoral. Gara zgjedhore nuk është e lehtë. Sistemi zgjedhor në një farë mënyrë favorizon rastësitë në llogaritjen e mandateve fituese në bazë qarqesh. Avantazhi në nivel kombëtar i mbështetjes për opozitën duhet të përkthehet në rezultate të cilësuara në secilin qark.

Sigurisht që numri më i madh i subjekteve partiake të rreshtuara në koalicionin e opozitës përbën një mekanizëm efikas në garancitë e mbërritjes te rotacini qeverisës, duke kapërcyer prirjen negative të sistemit në favorizim të humbësit. Një koalicion kaq i zgjeruar siguron pjesëmarrje pa mungesa të çdo zgjedhësi të opozitës në procesin e votimit dhe afron në shërbim të rotacionit një numër të konsiderueshëm votash të djathta. Kjo realizohet për shkak të vënies në lëvizje të një numri shumë të madh kandidatësh në çdo qark dhe përfshirjes në koalicionin e opozitës të disa partive me profil politik të djathtë. Ndërkohë duhet që mesazhi zgjedhor të jetë në unison.

Mendoj se nuk duhet lejuar asnjë hutim dhe shkurajim elektorati me ide apo mesazhe që nënkuptojnë pasiguri në marrëdhëniet dhe marrëveshjet elektorale të partive përbërëse të bllokut opozitar. Prandaj gjykoj se është e pavend hapja e debateve artificiale lidhur me emrin e kryeministrit të ri. Këtë çështje e zgjidhin standardet tashmë të praktikuara në vendet e zhvilluara politike. Partia kryesore e koalicionit që fiton zgjedhjet përcakton edhe emrin e kryeministrit. Sado p.sh të rriten partitë e rreshtuara në Koalicionin për një Shqipëri Europiane, asnjëra nuk mund t’i afrohet numrit të mandateve që fiton Partia Socialiste. Pavarësisht dëshirave dhe dashurisë së mirëkuptueshme që mund të kenë militantët e secilës parti brenda Koalicionit për liderët e tyre, kryeministrin e zgjedh Partia Socialiste.

Dhe në bazë të Statutit e rregullave të brendshme të saj do jetë Edi Rama kandidati për Kryeministër që Koalicioni do i propozojë Presidentit të Republikës, e pastaj Kuvendit. Të gjitha energjitë tona duhet t’i drejtohen aktivizimit elektoral, takimeve dhe komunikimit me zgjedhësit. Beteja është e vështirë. Votëbesimit plebishitar për opozitën qeveria do i kundërvihet me përdorimin e pushtetit financiar informal dhe kriminal për të blerë votuesit. Para në këmbim të kartave të votimit të mbështetësve të opozitës do të vihet në lëvizje për të ulur dhe manipuluar pjesëmarrjen në votim. Duhet të nxisim kurajën e qytetarëve për të denoncuar projektet e manipulimit nëpërmjet blerjes së votës.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›