E Diel, 1 Nëntor 2026

Një biskotë 100-vjeçare shitet 1 400 euro

LONDËR- Një biskotë e marrë me vete nga eksploratori Ernest Shackleton gjatë një ekspedite polare në periudhën 1907-1909 u shit në ankand me çmimin 1 250 stërlina (1 433 euro) dje në Londër, njoftojnë burime pranë shtëpisë së ankandeve Christie's, që organizoi shitjen.

Kjo ëmbëlsirë, një nga mijëra të tilla të marra me vete nga Shackleton, një ndër figurat e eksplorimit të Antarktikut në shekullin XX, dhe anëtarët e tjerë të ekspeditës Nimrod, ishte vlerësuar deri në 1 500 stërlina (1 700 euro) nga Christie's. Ajo ishte blerë nga një koleksionist privat. Të prodhuara posaçërisht për ekspeditat nga ndërmarrja britanike Huntley and Palmers, këto biskota ishin bërë me më tepër vlera ushqyese për shkak të shtesës së proteinave të qumështit për t'i dhënë energjinë e nevojshme grupit për udhëtim.

Ekspedita kishte arritur deri në rreth 160 kilometra nga Poli i Jugut, por ishte detyruar të kthehej dhe gjatë udhëtimit, eksploratorët ishin mjaftuar me gjysmën e racioneve për të mos vdekur urie. Në një moment veçanërisht të vështirë të ekspeditës, Shackleton, një anglo-irlandez, ia kishte dhënë pjesën e tij një shoku, i cili kishte shkruar më tej në gazetën e bordit: "Kjo biskotë vlente sa të gjitha thesaret".

Biskota, e vënë në shitje nga një koleksionist privat, është gjetur në një strehim, në kampin bazë të ekspeditës. Në 2001, një biskotë e një ekspedite tjetër të Ernest Shackleton, e shitur po nga Christie's, ka arritur një çmim rekord prej 7 637 stërlina (8 770 euro).
(m.a/afp/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›